Protesta e pedagogëve, Olldashi: Kundër grevës së urisë, formë reagimi ekstreme

schedule19:59 - 28 Tetor, 2022

schedule 19:59 - 28 Tetor, 2022

Pedagogët kanë paralajmëruar grevë urie pasi kërkesat e tyre nuk janë plotësuar. Sindikata e punonjësve të universitetit ka njoftuar gjithashtu një tjetër protestë kombëtare të hënën.

Pedagogia Enkeleda Olldashi e ftuar në “Radari Informativ” në ABC,  me gazetaren Juli Xhokaxhi tha se nuk është dakord me një masë kaq ekstreme. Sipas saj, pedagogët nuk kanë nevojë të arrijnë deri në grevë urie, pasi kërkesat e tyre janë të drejta.

Olldashi: Ajo që më shqetëson është kjo kërkesë që vjen jo nga sindikata, por nga pedagogët që është një formë reagimi shumë ekstreme. Nuk ka nevojë që vetë profesori të shkojë deri në këtë formë ekstreme që të tregojë se ka të drejtë. E vërteta nuk është çështje numrash. Ne jemi duke thënë një të vërtetë. Unë jam kundër kësaj forme që sot është hedhur.

Pedagogia komentoi edhe deklaratën e sotme të rektorit të Tiranës Artan Hoxha. Ai kërkoi më shumë mbështetje nga qeveria sa i përket punës universitare.

Olldashi: Ai e kupton se duhet deri diku të na mbështesë që pagat e personelit të jenë sa më dinjitoze. Kosova u zgjodh si shembull nisur nga fakti që është shteti më i ri në Evropë. Ne duam që t’i dedikohemi dhe të kemi një arsim sa më cilësor. Aktualisht kërkimi shkencor financohet 0.1 nga GDP, ne kemi kërkuar një financim prej 0.3%. nëse ne nuk do kemi financim të kërkimit shkencor do të thotë që ne jemi të kthyer në një klasë të 13-të. Këtu bëhet fjalë për një mbështetje financiare që duhet të shkojë deri te pedagogët që duan dhe kanë dëshirë të merren me kërkim shkencor.  Në universitetet tona nuk ka kërkim shkencor.

Për sa i përket kërkesës së pagës suplementare, Olldashi bëri me dije se kjo nuk është një pagë shtesë. Pedagogët bëjnë turne shtesë gjatë vitit dhe paguhen në fundvit.

Olldashi: Ne këtë e marrim në fund të vitit. Kjo vlerë mund të jetë më shumë se rroga jonë sepse ne mund të kemi bërë 2 norma, 3 norma, sepse nuk vijnë pedagogët e jashtëm me atë pagesë qe ne kemi dhe detyrohemi të bëjmë 2 ose 3 turne. Kjo nuk është një pagë shtesë, sepse ne atë punë e kemi bërë gjatë gjithë vitit. Ne nuk kemi qenë të ekzagjeruar në asnjë prej kërkesave tona. /Abcnews.al/