Prokuroria “lan duart” me dosjen “Babalja”

schedule16:55 - 26 Tetor, 2018

schedule 16:55 - 26 Tetor, 2018

Prokuroria për Krimet e Rënda shpalli moskompetencë për hetimin e çështjes “Babalja”. Dosja me katër persona të akuzuar për “kallëzim të rremë”, mes të cilëve edhe deputeti Ervin Salianji, i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës.

Prokuroria për Krimet e Rënda ia ka kaluar Prokurorisë së Tiranës përgjegjësinë e hetimit të çështjes “Babalja”. Më shumë se gjashtë muaj nga nisja e procedimit penal pas publikimit të një audio-regjistrimi ku pretendohej se Albert Veliu, Babalja, fliste me vëllain e ministrit të Brendshëm për çështje droge, Krimet e Rënda shpallën moskompetencë. Shkak është bërë akuza e “kallëzimit të rremë” e ngritur ndaj katër personave për çështjen, vepër penale jashtë kompetencës së Krimeve të Rënda. Nga ana tjetër, kjo prokurori do të vazhdojë hetimin për “trafikun e narkotikëve” veprën penale për të cilën u regjistrua procedimi penal. Dosja “Babalja” u dërgua në Prokurorinë e Tiranës me katër persona nën hetim, deputetin Ervin Salianji, Albert Veliun, Fredi Alizotin dhe gazetarin Jetmir Olldashi.

Hetimi i çështjes “Babalja”, histori që trazoi jo pak skenën politike në vend, mori tjetër rrjedhë pasi Fredi Alizoi pranoi të kishte qenë aktruesi i zërit të Agron Xhafajt, vëllait të Fatmir Xhafajt, në audio-përgjimin e “Babales”. Por, pas arrestimit të tij në Tetor 2018 u publikua një video-përgjim ku pohonte se ishte shoqëruar për Prokurorinë për Krimet e Rënda nga kreu i Policisë së Shtetit. Për llogari të hetimit dhe dinamikave të papritura të tij, Prokuroria për Krimet e Rënda mori deklarimet e më shumë se 15 personave, mes të cilëve edhe deputetët Salianji e Taulant Balla, si dhe ish-kreut të Policisë Bashkike të Tiranës, Florenc Hoxha./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!