Sondazh

Mali i Zi një hap drejt BE. Mendoni që do ta pasojë edhe Shqipëria?

Loading ... Loading ...
 

PROFIL/ Nga Ekuadori në Europë, ‘perandoria e krimit’ të Ervin Matës, kush është 39 vjeçari i arrestuar në Brazil

schedule20:53 - 27 Prill, 2026

schedule 20:53 - 27 Prill, 2026

Më 20 nëntor 2024 Prokuroria e Posaçme finalizoi një operacion, pas hetimeve 7- mujore që po zhvillonte për një grup të strukturuar kriminal, në qendër të të cilit ishte Ervin Mata.

SPAK ka ngritur akuza dhe ka kërkuar masa sigurimi në Gjykatën e Posaçme për 11 persona, të dyshuar si grup i strukturuar kriminal. Përveç Erzen Breçanit dhe Dedan Gjonit, mbrëmjen e 20 nëntorit 2024 u arrestuan edhe Bujar Ajeti, i njohur edhe me mbiemrin Gërmizi, si dhe Besmir Murati. Ndërsa iu komunikua masa e “detyrimit për t’u paraqitur pranë policisë gjyqësore”, Jonida Babametos, oficere e Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit.

Pjesë e këtij grupi të strukturuar kriminal, dyshohet të jetë edhe djali i Erzen Breçanit, Eralb Breçani, i cili nga ana tjetër është i fejuar me motrën e Ervin Matës. Erald Breçani u vetëdorëzua në Spanjë më 2 prill 2026. Gjithashtu edhe Artan Sulejmani, Albert Prenga e Bujar Grabova, për të cilët po ashtu janë vendosur masat e arrestit me burg.



Ervin Mata, i cili në atë kohë u tha se ndodhej jashtë vendit, akuzohet për grup të strukturuar kriminal, trafik narkotikësh dhe kryerje e veprimeve nga organizata kriminale. Po ashtu masë sigurie është vendosur edhe për Ismail Zenelin që veç akuzave që ka Mata, ka gjithashtu edhe veprën e sigurimit të kushteve për të kryer vrasje. Bujar Ajeti, nga Kukësi ka të njëjtat akuza si Zeneli. Ndërkohë që Dedan Gjoni, shef i krimeve në Komisariatin nr.6, dyshohet të ketë siguruar kushtet për të kryer një vrasje në bashkëpunim me grupin kriminal.

Djali i Erzen Breçanit, dyshohet dhe për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash. Ish-zyrtari i lartë i policië, Erzen Breçani akuzohet për veprën penale të pastrimit të parave dhe përkrahje e autorit të krimit. Megjithatë më 16 korrik 2024, Breçani u lirua nga Gjykata e Posaçme, që i lehtësoi masën e sigurisë.

SPAK ka dyshime të arsyeshme se ky grup i strukturuar kriminal, në përbërje të të cilit janë policë e ish-policë, trafikonte kokainë nga Ekuadori, Kolumbia dhe Brazili, drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Konkretisht bëhet fjalë për 4 dërgesa me kokainë të kapura në vitin 2021 në Holandë, Brazil, Gjermani dhe Spanjë. Këto kanë qenë objekt i hetimit, fillimisht të Europol e më pas edhe të SPAK, ndaj anëtarëve të grupit të Ervin Matës.

Është një sasi totale prej 931 kg kokainë që është kapur në katër shtete, dhe që padyshim SPAK ka provuar se organizatorë të dërgimit të kokainës nga vendet e Amerikës Jugut në Europë, ishin pikërisht shqiptarët, që drejtoheshin nga Ervin Mata.

Grupi po hetohej nga agjencitë europiane të zbatimit të ligjit, në Holandë, Belgjikë, Francë dhe Gjermani. Edhe në këtë rast bëhej fjalë për një rrjet të mirëorganizuar shqiptarësh, që trafikonin kokainë nga Amerika e Jugut, kryesisht nga Ekuadori dhe nga Brazili. Në kohën që bëhej verifikimi i PIN-eve që ata përdornin në aplikacionin SKY, hyn në lojë edhe SPAK.

Emrat e personazheve të përfshirë në grupin kriminal që drejtonte Ervin Mata, nisën të dalin në skenë gjatë hetimeve për një sasi kokaine të kaluar në Holandë më 5 janar të vitit 2021. Bëhej fjalë për 446 kilogramë lëndë narkotike. Në dosjen e SPAK rezulton se lënda narkotike ishte porositur nga Eralb Breçani. Për këtë ngarkesa kishte paguar Ismail Zeneli, i cili sipas komunikimeve të aplikacionin SKY rezulton se thirrej “Daja”.

Më datë 5 janar 2021 nga autoritetet ligjzbatuese holandeze është kontrolluar kontejneri në zonën e quajtur “Maasvlakte” në portin detar të Roterdamit. Gjatë kontrollit janë zbuluar dhe sekuestruar 446 pako me lëndë narkotike, të llojit kokainë të fshehura në trupin e kontejnerit. Për këtë ngjarje janë arrestuar dy shtetas holandezë: Roelof den Otter dhe Dirk Evert Bujtenhuis. Kontejneri ka qenë i llojit frigoriferik, i kyçur me vula kyçëse. Gjatë kontrollit, autoritetet kanë gjetur ne brendësi të tij edhe një vule kyçëse të pa mbërthyer. Transporti detar i tij, identifikuar si kompania “Maersk”, anije qe ka kryer transportin detar quhej “Brani” dhe kontejneri ishte ngarkuar në portin detar të Guajakil në Ekuador.

Në dosjen prej 106 faqesh janë të detajuara bisedat e zhvilluara mes grupit kriminal që zbardhin dhe rolin e Ervin Matës, të njohurin si ‘boli i kokainës’, i cili është shpallur në kërkim, si dhe të Bujar Ajetit Gërmizit, që u arrestua në Kukës. Në disa prej bisedave të zbardhura në dosje, Ervin Mata komunikon në gjuhë të huaj për trafikun e një ngarkesë me kokainë nga Brazili. Konkretisht bëhet fjalë për një ngarkesë për 250 kg kokainë që ishte nisur drejt aeroportit të Frankfurtit në Gjermani. Por plani i shkoi keq dhe Ervin Mata nuk e fshehu këtë, duke u shqetësuar edhe se lajmi do të bëhej publik nga media.

Në shtator të vitit 2020, Mata, bashkëbisedon në gjuhë të huaj në një chat grup. Nga biseda e zhvilluar dyshohet se Ervin Mata në bashkëpunim me përdorues të tjerë Sky, pjesëmarrës në grup, kanë trafikuar një sasi prej 250 kg lëndë narkotike kokainë nga Brazili për në aeroportin e Frankfurtit. Evidentohet edhe biseda e datës 29 shtator 2020 me përdorues të tjerë shqipfolës, ku Mata i tregon që i janë kapur dhe sekuestruar një sasi prej 240 kg dhe problematikën e nxjerrjes nga aeroporti dhe mbërritjen në Frankfurt.

Më datë 18 shkurt 2021, në portin e Valencias në Spanjë, është sekuestruar rreth 69 kg kokainë e fshehur në motorin frigoriferik në fund të kontejnerit, i cili transportonte fuçi me lëng limoni të ngrirë të koncentruar. Ngarkesa thuhet se kishte ardhur nga Brazili. Nga hetimet del se të dyshuar për këtë trafik janë Ismail Zeneli, Eralb Breçani dhe Ergys Dashi, ky i fundit i ekzekutuar në Ekuador. Ismail Zeneli ka pasur rolin e porositësit dhe financuesit për blerjen e lëndës narkotike në vendin e origjinës, Brazil. Si edhe të nxjerrjes së lëndës narkotike nga porti i Valencias në momentin kur do të mbërrinte në këtë port e transportuar me kontenier. Artan Sulejmani ishte bashkëpunëtor i Zenelit, ndërsa Eralb Breçani ka pasur rolin e porositësit dhe financuesit për blerjen e lëndës narkotike në vendin e origjinës, Brazil.

4 tetor 2018, prishi paqen e vendosur me një marrëveshje të heshtur mes dy grupeve kriminale në Tiranë. I pari që drejtohej nga Ervis Martinaj dhe i dyti nga Ervin Mata.

Kjo përplasje me armë, në lokalin e njohur në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, shkaktoi një të vrarë e dy të plagosur. I plagosur mbeti edhe vetë Ervis Martinaj që më pas edhe u arrestua. Por për pak kohë. Ashtu sikurse gjithë të tjerët që qëndruan fillimisht në arrati e më pas u vetëdorëzuan njëri pas tjetrit. Pas disa javësh në qeli, të gjithë u lanë të lirë. Duke përfshirë edhe Ervin Matën e Mevjol Bilon, i cili ishte personi që shkrepi armën. Sot të gjithë protagonistët janë jashtë. Ndërsa për fatin e Ervis Martinajt, prej një viti nga denoncimi si i zhdukur, nuk dihet ende asgjë zyrtare nga Policia.

Prej asaj datë është folur për një armiqësi mes Martinajt e Matës. Në dëshminë e dhënë për atë ngjarje, Ervis Martinaj tregonte që asnjëherë nuk kishte pasur ndonjë problem me Ervin Matën, madje tregonte se ishte rritur me babain e Ervinit

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!