Prodhuesit: Hapja e tregjeve me rajonin na falimenton brenda gjashtë muajsh

schedule14:40 - 7 Janar, 2018

schedule 14:40 - 7 Janar, 2018

Nëse plani “Berlin plus” për krijimin e zonës së lirë tregtare në Ballkan aktivizohet në tre vitet në vijim, fabrikat shqiptare falimentojnë për gjashtë muaj. Prodhuesit japin alarmin se importi i produkteve me çmime të ulëta nxjerr nga tregu produktet vendase. Ekspertët rekomandojnë masa për uljen e kostove, por fillimisht kërkojnë rritje të tarifave për mallrat e importit që subvencionohen nga vendet fqinj.

Me aktivizimin e zonës së lirë në rajon si në BE, fabrikat që prodhojnë në Shqipëri nuk do të rezistonin as gjashtë muaj dhe ekonomia do të përballej me faliment masiv të industrisë.
Ky është paralajmërimi i zymtë që bën industria e prodhimit në vend.
Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve Shqiptarë Arben Shkodra në një intervistë për revistën ekonomike “Monitor” është i alarmuar nga lehtësia me të cilën qeveria shqiptare po merr krijimin e tregut të përbashkët rajonal.

Kryeministrat e Serbisë, Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Bosnjës dhe Kosovës kanë firmosur një marrëveshje dhe tashmë një plan veprimi është në zbatim për krijimin e një zone tregtare pa dogana, njësoj si në vendet e BE-së deri në vitin 2023, por bizneset sipas Sekretari të Përgjithshëm të Shoqatës së Prodhuesve Shqiptarë nuk janë vënë në dijeni as formalisht për planin e krijimit të një tregu të përbashkët rajonal.

Serbia ka tre vite që punon në këtë drejtim dhe është në avantazh ndërkohë që i gjithë rajoni po ndjek politika subvencionimi ndaj prodhimeve vendase, ndryshe nga Shqipëria.
Plani “Berlin Plus” synon të mbështesë me fonde direkte lehtësimin e tregtisë së përbashkët në rajon dhe masa që lehtësojnë infrastrukturën për lëvizjen e mallrave.
Shqipëria ende nuk ka shpallur një platformë se si do të pozicionohet në tregun e përbashkët dhe me çfarë duhet të konkurojë.
Taksat e larta dhe mungesa e politikave subvencionuese dhe incentivuese i ka bërë prodhimet shqiptare, sidomos ato të industrisë së agropërpunimit, inferiore edhe në tregun vendas ndaj prodhimeve nga Serbia dhe Kosova.

Importet e miellit dhe birrës janë rritur me ritme dyshifrore dy vitet e fundit, duke çuar në kolaps industrinë vendase.
Shqipëria kundrejt vendeve ofron barrën më të lartë fiskale për investitorët dhe ka incentivat fiskale më të ulëta në raport me Maqedoninë, Serbinë, Malin e Zi, Kosovën dhe Bosnjën nderkohë që nuk ka ende të zhvilluar zonat e lira ekonomike. Vendet e rajonit, përveç Kosovës, i kanë funksionale zonat e lira ekonomike dhe me incentiva mjaft konkurruese.
Pasojat e këtij plani sipas Shkodrës, në vendin tonë në fillim do ti ndiejnë fabrikat, të cilat në rastin më të mirë ose do të përthithen nga fabrikat rajonale ose do të falimentojnë.
Shqipëria do të humbasë vende pune ndërsa rrezikon të kthehet në shtet improtues.

Shoqata Shqiptare e Prodhuesve i tha revistes “Monitor” se ka disa rekomandime se si mund t’i bëhet ballë hapjes së mëtejshme të tregjeve me rajonin dhe Bashkimin Europian.
Një sërë ligjesh, udhëzimesh, procedurash dhe tarifash duhet të ndryshohen me qëllim që të ulen kostot dhe të bëhet konkurues prodhimin vendas.
Prodhimi vendas të përjashtohet nga takasat vendore, të hiqet taksa mbi ambalazhin e të aplikohen lehtësi doganore.

“Ne kemi probleme me skanimin. Për shkak të kanabisit, çdo eksport skanohet. Kjo duhet të bëhet me kampionim”, thotë Shkodra.
Gjithashtu prodhuesit kërkojnë ulje të kostove të energjisë elektrike në prodhim e të nxitet prodhimi i produkteve unike shqiptare./abcnews.al