Problemet me tenderin, Elbasani “mbytet” nga plehrat, qytetarët: Bashkia fle gjumë

schedule20:05 - 13 Dhjetor, 2021

schedule 20:05 - 13 Dhjetor, 2021

Nga Aldo Kozarja

Prej 2 javësh rrugët e Elbasanit janë plot me mbeturina. Kapacitetet njerëzore dhe mjetet e Agjencisë së Shërbimeve Publike janë të limituara dhe nuk po ja dalin dot të pastrojnë qytetin.

Pas përfundimit të kontratës të kompanisë “Viktoria Invest” burimet i thanë “Abc” se tenderi është zhvilluar. Kompania “Korseli” është shpallur fituese, por një nga garuesit e tjerë është ankuar tek Agjencia e Prokurimeve.

Deri sa të shqyrtohet ankesa qyteti do të jetë këtë gjendje. “Mizerje fare është” tha një qytetar për situatën e krijuar në qytet. “Shkoj në punë kaloj mbi plehra” tha një tjetër.

Kompania “Viktoria Invest” që pastronte qytetin me përfundimin e kontratës pezulloi nga puna punonjësit dhe në disa zona ka hequr dhe kontenierët. Bashkia ka vendosur disa të rinj por jo të mjaftueshëm. Qytetarët po hedhin mbeturinat nëpër rrugë.

“Flenë gjumë si bashki, plehrat tek shkolla po mbysin vendin, do zërë korona fëmijët. Nuk punojnë fare. Kemi sëmundjet sheshit, koronën s’po e largojmë po e afrojmë” tha një tjetër qytetar.

“Mbeturinat kanë një javë që janë këtu, shumë shqetësues shumë pis. Na qelbën jemi pleq pak kemi virusi e kjo na duhej janë mikrobe” tha një tjetër qytetar.

Shqetësuese është dhe gjendja në ambientet e spitalit. Mbetjet e rrezikshme spitalore janë hedhur në rrugë. “Vijmë të shërohemi e këtu sëmurësh më shumë” tha qytetari./ Abcnews.al