Një javë pasi fitoi zemrat e shikuesve me mbështetjen që i dha skuadës përfaqësuese të Kroacisë në finalen e botërorit të futbollit, presidentja kroate, Kolinda Grabar Kitaroviç, me të njëjtën mbështetje iu drejtua shqiptarëve nga salla e seancave plenare, duke i konsideruar miq të shtetit të saj, Kroacisë.
“Të dy vendet tona janë të lidhura me detin Adriatik por edhe me dicka më të fortë: Shqipëria ka qenë vendi ynë mik, gjatë luftës, shumë shqiptarë u bënë pjesë e forcave kroate dhe luftuan për lirimin e Kroacisë, shumë shqiptarë sakrifikuan jetën për Kroacinë dhe Kroacia më besoni nuk harron”, tha Kitaroviç.
Mbështetjen e artikuloi edhe në kuadr të integrimit europian të vendit.
“Hapja e ambasadës kroate në Tiranë në vitin 1994 ishte një ngjarje e madhe për marrëdhëniet mes dy vendeve. Tani, Kroacia dhe Shqipëria marrin pjesë bashkë në operacionet në Afganistan. Kroacia e mbështet fuqishëm perspektivën europiane të Shqipërisë, rrugën drejt integrimit në BE dhe mirëpret progresin e bërë nga Shqipëria”, u shpreh presidentja e Kroacisë.
Në përfundim të vizitës zyrtare dy ditore, presidentja kroate Kitaroviç ndaloi në Durrës, ku e shoqëruar nga minsitri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, mori pjesë në ceremoninë e nisjes së projektit për mbrojtjen e mjedisit, një program i përbashkët i dy vendeve respektive për menaxhimin e ndotjes detare dhe bregdetare për rritjen e sigurisë në det dhe porte./abcnews.al