Presidenti Meta flet për “To Vima” për negociatat për detin dhe ligjin e luftës

schedule13:15 - 18 Mars, 2018

schedule 13:15 - 18 Mars, 2018

Presidenti Ilir Meta në një intervistë për të përditshmen greke “To Vima” është përgjigjur për disa nga çështjet e aktualitetit që lidhin dy vendet fqinje. Negociatat për detin dhe shfuqizimi i ligjit të luftës ishin disa nga çështet kryesore, për të cilat kreu i shtetit shqiptar sqaroi pozicionin e tij.

Në një intervistë për gazetën greke “To Vima”, presidenti Ilir Meta ka sqaruar disa çështje lidhur me pozicionin, ku Shqipëria ndodhet në procesin e negociimit me Greqinë për një marrëveshje të re për kufirin detar. I pyetur lidhur me refuzimin e dhënies së autorizimit për ministrin Bushati për këtë çështje, Presidenti kujton prizmin jopersonal të çështjes dhe rëndësinë parësore të respektimit të kuadrit ligjor, që në rastin e Shqipërisë përfshin edhe vendimin e Gjykatës së vitit 2010, që shfuqizoi marrëveshjen e një viti më parë.

“Është e një rëndësie parësore që të dyja palët të hyjnë në këtë process negociatash me një mission të qartë: arritjen e një marrëveshjeje pa të meta ligjore, praktikisht të implementueshme dhe përfundimisht të pa kthyeshme. Vendimi i vitit 2010 i Gjykatës Kushtetuese vizatoi një hartë për negociatat në të ardhmen. Çdo marrëveshje që nuk respekton këto “vija të kuqe” mund të sfidohet në Gjykatë Kushtetuese.”

Sa i përket ligjit të luftës, Presidenti Ilir Meta në përgjigjen e tij pozicionohet qartazi kah atyre që nuk e shohin si arritje të Tiranës, por si krenari të vetë Greqisë shfuqizimin e atij që quan “çmenduri politike paradoksale”.

“Ligji grek i luftës me Shqipërinë është një nonsens politik dhe shfuqizimi i tij është shumë i vonuar. Është një paradoks i pashpjegueshëm se si dy shtete palë të një kontrate bilaterale ligjore shtrënguese si Traktati i Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Fqinjësisë së Mirë, aleate brenda NATO, mund njëkohësisht të jenë nën regjimin unilateral të gjendjes së luftës, nga koha e Luftës së Dytë Botërore. Abrogimi i këtij ligji nuk është vetëm diçka që i shkon për shtat të drejtave legjitime të një numri qytetaësh shqiptarë, por është një akt i maturuar politik që ngre statusin e Greqisë në vetvete.”

Presidenti Ilir Meta theksoi gjatë intervistës gjithashtu rëndësinë e adresimit të çështjeve delikate, si çështja çame, përmes një dialogu të sinqertë dhe shkëmbimi pikëpamjesh dhe konsideratash me mendje të hapur./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!