Presheva e harruar, aty ku serbë e shqiptarë jetojnë në paqe

schedule19:59 - 3 Shkurt, 2019

schedule 19:59 - 3 Shkurt, 2019

Fshati Leran i Preshevës është një vend ku serbët dhe shqiptarët jetojnë bashkë si fqinj, ndajnë veglat e punës dhe gjithashtu fatin e tyre. Kur vjen fjala tek çështja e Kosovës, ata thonë se më shumë se sa zgjidhja i shqetëson vëmendja e institucioneve që deri më sot rezulton e munguar.

 

Ky është Korridori i Dhjetë, një trase e rëndësishme transporti për Evropën. Shqiptarët që jetojnë në pjesën që mund të ngelet në Serbi, thonë se kushtet për jetesë janë të vështira. Në fshatin Leran, ku shqiptarë e serb jetojnë bashkë, familja Mehmeti punojnë në bujqësi nga të rinjët deri tek gjyshi. Ndihma nuk kanë dhe subvencione për punë nuk marrin. Nëse shkëmbëhen, siç thonë, ose të gjithë ose askush pasi njerëzit i braktisin pronat.

Burhan Mehmeti: Këmbimi kur të jetë këmbim le të bëhet për krejt jo veç për dikë po e dikë jo. Ne komunë nuk kemi këtu, komunë kemi Preshevën. E ku do bëjmë në komunën? Këto duhet krejt me i lënë dhe me shku diku. Me i shit s’ka kush i blen.

Serbët këtu fillimisht nuk duan të flasin lehtë. Edhe ata si bashkëfshatarët shqiptarë kanë ikur, në fshat rrinë ata që nuk kanë shumë zgjidhje. Kryefjala e përbashkët etknike e problemit këtu është varfëria. Belgëzim Kamberi, aktivist për të drejtat e njeriut, thotë se Lugina e Preshevës, ka patur gati aspak investime. Kurse të drejtat e shqiptarëve janë trajtuar si problem i brendshëm i Serbisë pavarësisht se në jetën e këtushme problemet Kosovë-Serbi u kanë kushtuar. Në çfarëdo platofme ata duhet të përmenden në marrëveshjen përfundimtare.

Belgëzim Kamberi: Lugina e Preshevës është përjashtuar dhe problemet veçse janë rritur dhe nuk kemi pasur zgjidhje, por në rastin më të keq kemi pasur migrim të popullatës, qoftë të shqiptarëve apo të serbëve. Në këtë rast është jashtëzakonisht e rëndësishme që pavarësisht pranisë fizike apo jo të përfaqësuesve të Luginës së Preshevës në dialog, tema e çështjes së Luginës së Preshevës duhet të jetë në dialog.

Pasdite në fshat. Para dyqanit dhe kafenesë së lagjes rrinë bashkë. Aty arrinë Predrag Trajkoviç, i punësuar herën e fundit në vitin 2003. Tani edhe ai rri me duar në xhepa. Për shqiptarët betohet se nuk ka patur asnjëherë probleme.

Predrag Trajkoviç: Nuk kam frikë sido që të vendoset pasi nuk i kam borxh askujt. Nuk duhet të vuajnë as shqiptarët, as ne. Ata nuk më pengojnë e as unë ata. Këto janë marrëzira, ne duam të jetojmë.

Pas fitimit të besimit, Predrag, insiston të na tregoj një lagje në brendësi për ilustrim. Tomisllav jeton këtu me bashkëshorten, Sllavkën. Fëmijët janë larguar dhe pensionin e kanë rreth 80 euro. Të sëmurë, thonë se nuk kanë as për bukë. Në shtëpi gjithcka kundërmon si një gjë e harruar me shekuj. Banorët e këtij fshati të entuziazmuar për të treguar historinë e tyre, thonë se është në rregull që politika ta zgjidhë problemin, por para kësaj ftojnë liderët të vijnë në këtë fshat pasi kanë shumë porosi t’ua thonë në fytyrë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!