Ishte vetëm çështje kohe dhe ajo erdhi shumë shpejt. Katër javë nga mbyllja e sezonit të Premier Ligës, Liverpul vulosi matematikisht titullin e kampionit të ri të Anglisë.
Një triumf i merituar për “The Reds”, pas një dominimi total, të kurorëzuar me fitoren e thellë 5-1 kundër Totenhem.
Kjo ishte një tjetër dhuratë për tifozët e kuq, që I dhuruan një pritje madheshtore skuadrës përpara ndeshjes, ndërsa në atmosfera në tribunat e “Anfield Road” ishte me të vërtetë magjike.
Çdo gjë u amplifikua në vërdhëllimën e fundit të ndeshjes, ku shpërtheu edhe festa e kuqe.
Për Liverpul ky ishte titulli i 20 kampion në Premier League, duke barazuar rivalët e përjetshëm të Manchester United.
Po ashtu, ky ishte titulli i parë pas pesë vitesh pritje, por edhe një rekord për trajnerin Arne Slot, që arriti të triumfojë që në sezonin e tij premierë në pankinën e “The Reds”.
Ajo në “Anfield” ishte vetëm një shijim i triumfit, pasi Liverpul do të ngrejë trofeun e kampionit vetëm pas javës së fundit të Premier League.
Por deri atëherë, do të jetë një pritje e ëmbël për Arne Slot dhe skuadrën e tij./abcnews.al