Nga tapeti i mundjes te titujt kampionë, historia e Kevin Kupes është një rrugëtim i ndërtuar mbi sakrificë, disiplinë dhe këmbëngulje. Ai e nisi mundjen në moshën 13-vjeçare, i shtyrë nga babai, pa e ditur se ky sport do të bëhej pjesë e pandashme e jetës së tij.
Për 10 vite, Kevin ia kushtoi jetën tapetit dhe në 9 prej tyre u shpall kampion i Shqipërisë. Pesë vite radhazi nuk njohu humbje në kampionatin shqiptar, duke e kthyer përkushtimin në rezultate konkrete. Por pas medaljeve dhe trofeve fshihet edhe një anë tjetër e sportit: dhimbja, dëmtimet dhe momentet kur gjithçka duket sikur po përfundon.
Vetëm pak javë para një kampionati botëror, një dëmtim i rëndë e vuri përballë një prej provave më të vështira të karrierës. Rikuperimi zgjati rreth një muaj e gjysmë dhe kërkoi dhimbje, disiplinë dhe një vullnet të jashtëzakonshëm për t’u rikthyer. Humbja në ndeshjen e parë pas dëmtimit e bëri të besonte për një moment se gjithçka kishte marrë fund.
Por Kevin nuk u dorëzua. Për të, mundja nuk është thjesht një sport, por një shkollë jete, ku çdo pengesë duhet të kthehet në forcë. Sot, pas 10 vitesh përkushtim, ai mbart 9 tituj kampionë të Shqipërisë dhe një karrierë të ndërtuar hap pas hapi.
“Jetova për tapetin dhe ai më bëri kampion”, thotë Kevin, duke e përmbledhur në pak fjalë marrëdhënien e tij me sportin. Historia e tij është edhe një mesazh për të rinjtë: talenti të hap një derë, por vetëm puna, durimi dhe karakteri të mbajnë në majë./abcnews.al


