Arrestohet në Rusi Shpëtim Aliu, i konsideruar si një nga personat kryesorë të hetuar nga SPAK për trafik ndërkombëtar të lëndëve Narkatike. “Kumbari” i grupeve kriminale shqiptare që veprojnë kryesisht në Amerikën e Jugut, u arrestua gjatë një operacioni ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, pas bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe homologëve rusë.
Për 51-vjeçarin, që njihej edhe me emrin Salvatore Aliu, Gjykata e Posaçme kishte caktuar masën “arrest në burg” në mungesë më 19 qershor 2026, në kuadër të të njëjtit hetim ku u vendosën masa sigurie edhe ndaj 9 personave të tjerë të dyshuar për trafik droge dhe pastrim parash, mes të cilëve edhe Eldi Dizdari dhe Dritan Gjika.
Salvatore Aliu, me origjinë nga Elbasani, dyshohet nga autoritetet shqiptare si figura qendrore e një rrjeti që, sipas hetimeve të SPAK, ka trafikuar të paktën 50 tonë kokainë nga Amerika Latine drejt vendeve të Europës gjatë viteve 2019–2021.
Ndaj tij janë ngritur 4 akuza, trafikim i narkotikëve, pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, grup i strukturuar kriminal, si dhe kryerjen e veprave penale në kuadër të një organizate kriminale ose grupi të strukturuar kriminal.

Salvadore Aliu, ndaj të cilit është lëshuar një urdhër arrest nga SPAK, i konsideruar si kumbari i grupeve shqiptare të narkotrafikut, dyshohet të ketë pastruar në Shqipëri të paktën 30 milionë euro të siguruara nga aktivitetet kriminale. Nga hetimet ka rezultuar se, pastrimi i parave është bërë përmes vëllait të tij, Isa Aliu, i cili zyrtarisht ka 4 kompani të ndryshme për investime në blerje pasurish të paluajtshme.
SPAK nisi procedimi penal në ngarkim të Aliut dhe 9 personave të tjerë, pas referimit të Policisë së Shtetit më 8 maj të vitit 2020. Sipas dosjes hetimore, disa persona, shtetas shqiptar dhe huaj, te drejtuar nga Salvatore Aliu, ishin të përfshirë në trafik nderkombëtar të lëndës narkotike, e llojit kokainë, në linjën Ekuador, vende të Bashkimit Europian, Mbretëri e Bashkuar, Shqipëri, etj.
Aliu, ishte identifikuar nga Policia e Shtetit si drejtues dhe si personi kyç, në rolin e furnizuesit, organizatorit dhe financuesit të ngarkesave me kokainë, nga Ekuadori në vendet e Europës, por edhe në Shqipëri.
Bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, mes të cilëve Eldi Dizdari dhe Dritan Gjika, janë identifikuar përmes kodeve të përdorura në platformën SKY dhe për këtë arsye SPAK me anë të letërporosive ka kërkuar komunikimet e kryera në këtë platformë mes tij dhe personave të tjerë.
Policia e Shtetit njoftoi zyrtarisht se arrestimi i tij në Rusi është bërë me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.

