Abuzimi 5 miliardë lekë vetëm për rrugën Elbasan-Gjinar ka çuar në pranga dy ish-krerët e Autoritetit Rrugor Shqiptar si dhe disa administratorë dhe supervizorë të kompanive që fituan këtë tender dhe bënë punimet. Arrestimet erdhën pas një hetimi që zgjati gati 2 vjet.
Asfaltimi i rrugës Elbasan-Gjinar, i kushtoi lirinë dy ish-drejtorëve të Autoritetit Rrugor Shqiptar. Fletë-arrestet nuk janë prerë vetëm për dy ish-zyrtarët, por edhe për disa persona të tjerë, mes të cilëve administratorë kompanish dhe supervizorë punimesh.
Vjedhja vetëm ne këtë rrugë përllogaritet një shifër kolosale prej gati 5 miliard lekësh të vjetra.
Pas hetimeve të nisura gati dy vjet më parë, me 31 mars 2016, dyshohet se dy ish-kreret e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Andi Toma dhe Dashamir Xhika kane shperdoruar detyrën në lidhje me projektimin, prokurimin, zbatimin e kolaudimit të rrugës Elbasan-Gjinar. Toma dhe Xhika mësohet se janë vënë në pranga në orët e vona të mbrëmjes së të enjtes. Më herët ka qenë gjykata e elbasanit e cila ka miratuar kërkesën e prokurores së çështjes Armanda Xhaferri për kontrollet e banesave të 6 personave nen hetim, përfshirë edhe dy ish-krerët e ARRsh-së.
Më të rënduar në këtë dosje duken pozitat e dy vëllezërve Agron dhe kujtim hysa, administratore të kompanisë “Vëllezërit Hysaj”. Mbi të dy rëndon akuza për vjedhje nëpërmjet shpërdorimit të detyrës. Kompania e tyre dhe ajo “Arifi” mësohet se kanë qenë fituesit e tenderit për sistemim asfaltimin e rrugës së Gjinarit. Por në 6 prill 2017 prokuroria e elbasanit ka marrë vendim për kryerjen e një ekspertimi kompleks për këtë rrugë, ku janë zbuluar edhe shkeljet e kontratës dhe mospërmbushja e standardeve në ndërtimin e këtij aksi, për të cilin është bërë tenderi në vitin 2008, kohe kur në detyrë ishte Andi Toma.
Përballë provave të paraqitura nga prokuroria, te enjten gjykata e Elbasanit aprovoi dhe kërkesën e organit të akuzës për të vënë nën masën e sigurisë “arrest me burg” për 5 prej 6 personave nën hetim për shperdorimin e 5 miliard lekeve të vjetra. Ndërkohë, vetëm për administratorën e kompanisë “Arifi”, shtetasen Rezarta Bokçiu, prokuroria ka kërkuar në gjykatë masën e sigurisë “arrest shtëpie”, kërkesë që është pranuar edhe nga togat e zeza.
/abcnews.al