Kryeministri Edi Rama tërhoqi vëmendje publike kur sfidoi nga Kosova, Bashkimin Europian dhe Serbinë. Ndërsa në shtëpinë e tij, opozita po mbështet protestat ndaj qeverisë të banorëve të Unazës së Re. Këtë dinamikë të ndryshme në dimensionin e festave na sjell Mimoza Koçiu me Politika në ABC News.
https://www.youtube.com/watch?v=dUqsf69ZdEc
Kryeministri Rama, tërhoqi vëmendje ndërkombëtare, javën politike që lamë pas, kur artikuloi nga Peja tezën delicate të bashkimit kombëtar me Kosovën. U shfaq si protagonist në mbledhjen mes dy qeverive, duke sfiduar në emer të Shqipërisë e Kosovës, BE dhe Serbinë. Përkrah kryeministrit Haradinaj, u kujdes të mbronte presidentin Hashim Thaçi që ka kundër qeverinë e vendit të tij, për idenë e tij të rishikimit të kufijve. Në shtëpinë e tij, Kryeministri i Shqipërisë vazhdon të ketë një konflikt të hapur me banorë të unazës së re, ndërsa i vetmi komunikim me opozitën janë tiradat që i lëshon nga Twitteri.
Po cfarë ndodhi javën politike që lamë pas?
Ishte rradha e Kosovës për të mikpritur sipas traditës mbledhjen e qeverive të Kosovës e Shqipërisë. Takimi i pestë mes tyre u mbajt në Pejë, ndërsa protagonist ishte Kryeministri i Shqipërisë. Foli në emër të dy shteteve për bashkim, bazuar në një dokument strategjik që do përgatitet për gjendjen e të ardhmen e dy vendeve pas 2025, kohë kur Serbia hyn në BE. Po në emër të dy vendeve shprehu zhgënjimin ndaj BE.
Më 21 nëntor, një ditë pas Kosova dështoi të antarësohej për herë të tretë në Interpol, e Beogradi zyrtar mori meritat për këtë, qeveria Haradinaj e rriti në 100% tarifën për mallrat serbe, e moslejimin e produkteve, ku ajo emërtohej “Kosovë e Metohi”. Pakënaqësia serbe përveçse me deklarata u duk edhe tek lobimi tek institucionet ndërkombëtare, disa prej të cilave, përfshi shefja e diplomacisë së BE Mogherini, i kërkuan Kosovës anullimin e atij vendimi, Por Kryeministri Haradinaj u përgjigj se nuk kishte ndërmend të tërhiqej. Një natë më parë i ishte rrëfyer një histori presioni serb e ndërkombëtar ndaj Kosovës e tashmë Kryeministri u rendit në krah të Haradinajt.
Numri i marrëveshjeve të nënshkruara mes dy vendeve, ishte më i madh se në 4 mbledhjet e mëparshme. Pa përmirësime të dukshme nga marrëveshjet e mbledhjeve të kaluara, këtë herë palët rritën pritshmëritë.
Por marrëdhënia nuk dukej aq rozë. Konferenca e përbashkët për shtyp, përplasi këndvështrimet mes Ramës e Haradinajt, mbi propozimin e Thacit për rishikimin e kufijve me Serbinë, një çështje që ka ndarë institucionet më të larta në kosovë, presidentin e Kryeministrin. Padyshim që këtë dituatë e di mirë Edi Rama, që zgjodhi të etiketonte pa doreza kundërshtarët e idese së Thaçit, teksa njërin prej tyre e kishte në krah. E Haradinaj nuk ia përtoi përgjigjen.
Kosova duket se po e pranon taksën prej 5 euro për një kalim, vendosur nga qeveria Rama për të hyrë në Shqipëri. Por kërkesa për Edi Ramën ishte therëse: Shqipëria duhet të garantojë standardin rrugor, që justifikon atë tarifë që ka vendosur. Simbolika me flamurin dhe shqiponjën mbylli mbledhjen mes dy qeverive, duke sjellë pakënaqësinë tradicionale instinktive të Beogradit, e një reagim të vakët nga BE, ndryshe nga çështja e tarifës ndaj importeve serbe. A ka fituar vallë imunitet BE nga retorika të tilla, apo problemet brenda Unionit tashmë po dominojnë, ato të vendeve jashtë tij? Të dy hipotezat vlejnë. Por interesant është se në këtë tensionim edhe publik mes KS e Serbisë, pas vendimit për tarifat, rishikimi i kufijve mes tyre paraqitet si një proces drejt dakordësimit nga presidenti i vendit. Nuk ka një konsensus brenda vendit për këtë çështje, por kjo nuk e pengoi Thacin, që mbështetet publikisht nga Kryeministri Rama, zhvilloi takime në Uashington me sekretarin e shtetit mike pompeo e këshilltarin e presidentit Trump për sigurinë kombëtare Majkëll Bolton, sipas tij, për t’u koordinuar me administratën amerikane në hapat e fundit të negociatave me Serbinë.
Mungesa e konsensusit politik është tipik edhe në Shqipëri, e asnjëra palë nuk investohet për afrim, as vetë Kryeminsitri që dukshëm po investohet për konsensus në Kosovë. 106 vjetorin e pavarësisë e festuan të ndarë: mazhoranca e presidenti në Vlorë, kurse opozita në Tiranë. Në nderimet e atij që njihet si ati i pavarësisë, Ismail Qemalit, spikati veshja jo zyrtare e Kryeministrit Rama. Veshja ne stilin e stilistit të tij të preferuar, japonezit Johji Yamamoto, kontrastoi fort në formalitetin e ceremonisë e përkrah stilit zyrtar të presidentit e kreut të kuvendit.
Veshja iu rikthye stilit formal disa orë më vonë, në pritjen tradicionale shtetërore për 28 Nëntorin. Ilir Meta i kujtoi se në 106 vjetorin e shtetit, ka një sfidë të paadresuar
Edhe në pritjen shtetërore opozita nuk ishte aty. Lulzim Basha kishte zgjedhur ta festonte ditën e flamurit me shqiptarët në Milano, ndërsa në mëngjes, kishte nderuar 28 Nëntorin, jo vetëm si ditën e pavarësisë, por edhe çlirimit të vendit, një korrigjim në ceremonialin zyrtar i bërë nga Sali Berisha, pas debatit nëse vendi ishte cliruar me 28 apo 29 nëntor të 1944.
Lulzim Basha po mbështet prej disa javësh kauzën e banorëve të unazës së re, shtëpitë e bizneset e të cilëve do prishen nga zgjerimi i rrugës. Nga 12 të arrestuar pas protestës tek parlamenti, vetëm 2 janë në burg, ndërsa deputetë të opozitës ishin në gjykatë për t’i mbështetur. 2 protestues të tjerë janë arrestuar, e disa të tjerë proceduar penalisht, për shkatërrim prone publike gjatë protestave të mbrëmjes. Edhe Lulzim Basha me disa deputetë të PD e LSI, pjesëmarrës në protesta janë proceduar penalisht, për organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme, prishje e qetësisë publike dhe pengim i qarkullimit të mjeteve.
Njëlloj si për teatrin kombëtar, edhe ky rast duket i është lënë Erion Veliajt për menaxhim. Kryebashkiaku furnizon mediat me pamje nga prishja e objekteve të para, e madje edhe të banorëve që kanë pranuar të zhvendosen në banesa sociale në Shkozë. Pikëpyetja e fortë mbetet se si ka nisur vallë ky proces, pa një vendim të Kryeministrit, i cili bazuar në vlerësimin në terren të grupeve të punës, liston banorët që do përfitojnë dëmshpërblim, bonus qeraje apo banesë sociale. Kjo mangësi ligjore, nuk e pengon Veliajn që cdo ditë t’i tregojë publikut një tjetër anë: banorë që pranojnë shembjen e shtëpive tek Unaza e Re, në këmbim të një banese sociale në Shkozë
Padyshim që rikthimi i opozitës në kuvend për miratimin e Kodit të ri zgjedhor, përveçse përbush një detyrim të BE, i shmang afatin e djegies së mandateve për pjesën dërrmuese të deputetëve të saj, për shkak të mungesës 6 mujore në kuvend. Duhet thënë se përkundër denoncimeve sistematike, opozita po përgatitet për zgjedhjet vendore.
Atmosfera e festive bën të vetën, e duket se të gjithë po marrin kohë, pasi takimi me zgjedhësit do jetë vetëm 7 muaj më vonë. I vetmi që nuk e fsheh se po punon fort për një mandat të dytë është Erion Veliaj.
Veliaj në FRESSH: “Të kemi një fitore spektakolare në Tiranë. Këtë herë nuk na duhet vetëm fitorja, por shumica absolute në këshill për të mos e kthyer bashkinë ne minitepsira”./abcnews.al