Me rastin e 106 vjetorit të Pavarësisë, në qytetin bregdetar të Vlorës është zhvilluar ceremonia e ngritjes së flamurit kombëtar në sheshin Pavarësia. Në ceremoni morën pjesë Presidenti i vendit Ilir Meta, kreu i qeverisë Edi Rama dhe ai i Kuvendit Gramoz Ruçi, të cilët zhvilluan homazhe dhe vendosën kurora me lule në monumentin e “Ushtarit të Panjohur”. Pjesmarrës ishin edhe antarë të kabinetit qeveritar, deputetë si dhe antarë të qeverisë së Kosovës.
106 vjetorin e pavarësisë, politika e festoi e ndarë. Në qytetin bregdetar të Vlorës, në sheshin e flamurit të veshur në të kuqe, drejtuesit më të lartë të shetit panë ngritjen e flamurit kuq e zi.
Kreu i shtetit Ilir Meta, ai i qeverisë Edi Rama dhe ai i Kuvendit Gramoz Ruçi vendosën kurora me lule në nderim të atit të pavarësisë Ismail Qemal bej Vlora.
Demokratët zgjodhën t’i bëjnë homazhet e tyre tek varrezat e Dëshmorëve të Kombit.
Kreu i demokratëve Lulzim Basha gjatë ceremonisë, ku pjesmarrës ishin edhe ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-presidenti Bujar Nishani, vendosi kurorë lulesh në nderim të festës së flamurit kombëtar dhe lirinë e vendit.
Për mediat, kreu i demokratëve kujtoi rëndësinë e ksaj date dhe sakrificat që shqiptarët kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë në ndjekjen e lirisë dhe demokracisë.
Në Tiranë ceremonia e 106 vjetorit të pavarësisë u zhvillua në sheshin Skënderbej. Kryebashkiaku Erjon Veliaj vendosi kurorën me lule në monumentin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ku më pas u ngrit flamuri kuq e zi.
Kreu i bashkisë shfrytëzoi momentin për të përsëritur mesazhin drejtuar banorëve të Unazës së re të cilët protestojnë kundër prishjes së shtëpive të tyre.
Shqipëria feston 28 nëntorin 1912, ditën kur Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran e të pavarur. /abcnews.al