Policia u anuloi protestën, mjeku flet për Abcnews.al: Nesër në takim nuk do na presë Rama

schedule23:07 - 23 Shtator, 2020

schedule 23:07 - 23 Shtator, 2020

Pas refuzimit të lejes nga policia, nesër nuk do të ketë protestë nga mjekët në QSUT, ndërsa përfaqësia që do të shkojnë në Kryeministri në 09:30, nuk do të pritet nga Edi Rama.

Një gjë të tillë e konfirmoi për Abcnews.al mjeku i njohur Gentian Stroni, i cili në një prononcim u shpreh se nga Kryeministria, u kanë thënë se në takim do të jenë të dërguarit e ministrisë, por jo ministrja dhe kreu i qeverisë.

Mjek Infektolog në Shërbimin Infektiv thotë se kërkesën me 4 pikat e kishin bërë që në gusht, por nuk morën përgjigje deri në momentin që njoftuan protestën, teksa më pas reagoi Kryeministria për t’i dëgjuar.

Mjeku thotë se kërkesat Edi Ramës ia çuan përpara se ky i fundit të njoftonte rritjen e pagave. Më tej ai thotë se letrën me 4 kërkesat ia çuan edhe Presidentit Ilir Meta dhe Lulzim Bashës, por as nga ata nuk morën përgjigje prej muajit gusht.

Gentian Stroni në takim do të shkojë nesër së bashku me mjekët Altin Kuqo, Fatos Olldashi,  Arjan Harxhi si dhe Arjan Mezini.

Prononcimi i mjekut Gentian Stroni për Abcnews.al
A do të jeni nesër në përfaqësi për të takuar kryeministrin?
Po! Por nuk jemi me kryeministrin. Takimi është nesër në Kryeministri, por jo me kryeministrin.

Nuk do ju presë Rama?
Jo!

Por kush?
Na dërguan një skaletë, që ishte platforma e bashkëqeverisjes me të dërguarit e ministrisë, nuk e di kush do të jetë tjetër, disa organizatorë, por ekzaktësisht nuk e di.

Nuk flitej as për kryeministrin dhe as për ministren?
Jo!

Kjo do të thotë se protesta nuk do të bëhet nesër?
Sigurisht! Kjo ishte ideja. Tani sigurisht e bënë për këtë gjë. Po na marrin ne atje se ne kërkesën e kemi bërë ka një muaj dhe arsyeja pse po bëhet tani jam i bindur se ne të mos jemi në protestë. E dyta kjo kërkesë është bërë që në gusht, para se kryeministri të shpallte rritjen e rrogave.

Katër kërkesat ia kemi dërguar edhe presidentit edhe kryeministrit dhe opozitës. Me idenë se do të merrnim një përgjigje pas një periudhe dy javore, por nuk na erdhi asnjë përgjigje. 

Ne menduam që në radhë të parë të bënim një homazh për ata që kanë vdekur, prandaj tubimi u konsiderua “In Memorian”, pasi në varrim nuk u vajtëm, prandaj t’u bënim një homazh në heshtje në ambientet e punës, spitalit dhe aty të kishim këto pika nëpër pankarta dhe të thoshim edhe njëherë.

Nuk na e dha të drejtën policia, thanë se tani “pretendoni se ne të rrihemi, ne me ju dhe ju me ne”, jo i thashë, jemi intelektualë që pjesën e kemi me fjalë. Nga kryeministria u kthye përgjigja që për atë kërkesë që bëmë në gusht, “do organizohet një takim për ju”. Prandaj po shkojmë të shikojmë se cfarë do të thonë.

Po nga Presidenti morët përgjigje për letrën?
Jo, nuk kemi marrë

Po nga Basha?
Hiç, nga asnjëri.

Kërkesat e mjekëve:
Të shpallen dëshmorë të kombit të gjithë ata pjesëtarë të personelit shëndetësor të cilët humbin jetën në këtë luftë me këtë armik të padukshëm

-Të bëhet sigurimi i jetës së personelit shëndetësor, me qëllim që familjet e tyre të mund të vazhdojnë jetën edhe pas fatkeqësive të mundshme në këtë luftë.

-Rritje të vlerësueshme e trajtimit financiar të personelit shëndetësor.

-Personeli shëndetësor të çdo niveli t’i sigurohen të gjitha kushtet optimale në punë për parandalimin e infeksionit sipas të gjitha standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare.

db/Abcnews.al