Policia greke sekuestron 237 kg kanabis të sjellë nga Shqipëria

schedule19:57 - 23 Mars, 2019

schedule 19:57 - 23 Mars, 2019

Mbi 230 kilogramë kanabis sativa me origjinë nga Shqipëria janë sekuestruar nga policia greke. Tre operacione të ndryshme të antidrogës së shtetit fqinj vunë në pranga pesë shqiptarë dhe tre grekë.

Policia greke ka sekuestruar në tre operacione të ndryshme, më shumë se 230 kilogramë kanabis të sjellë nga Shqipëria. Sasia më e madhe është kapur në afërsi të Volosit. Bëhet fjalë për 99.5 kilogramë që ishin fshehur në çatinë dhe dyshemenë e një furgoni, me të cilin udhëtonin dy shtetas grekë.

Të dy ata, të moshës 32 dhe 38 vjeç u arrestuan. Nisur nga fakti se furgoni u ndalua në aksin rrugor që lidh Volosin me Selanikun, policia greke dyshon se lënda narkotike ishte futur në Greqi nga kufiri veri lindor i vendit me Shqipërinë.

Një tjetër sasi e konsiderueshme, me peshë 70.8 kilogramë, u kap në rrugën Kapshticë – Siatista.

Siç njoftohet, operacioni ishte një bashkëpunim i njësive antidrogë të Selanikut, Kozanit dhe Kosturit. Katër shtetas shqiptarë u arrestuan, në kohën që tre prej tyre po transportonin me këmbë lëndën narkotike të ambalazhuar në 68 paketa e të futur në thasë të mëdhenj.

Veç drogës, policia sekuestroi 230 euro dhe 4.700 lekë. Për të njëjtën çështje policia thotë se ka identifikuar edhe kreun e grupit, një shtetas shqiptar me moshë 34 vjeç, që kishte siguruar sasinë e kanabisit në Shqipëri.

Në veri perëndim, në Sajada fare afër kufirit me Shqipërinë, u arrestua një 60-vjeçar grek, pse në makinën e tij u gjetën 21 paketa, me 66.8 kilogramë kanabis./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!