Policia aksion në Fier, sekuestron drogë, armë e një sasi parash, pranga dy të rinjve

schedule17:45 - 30 Korrik, 2020

schedule 17:45 - 30 Korrik, 2020

Dy muaj hetime të një operacioni antidrogë janë finalizuar ditën e sotme me arrestimin e dy personave nga Fieri.

Policia njofton se në përfundim të këtij aksioni ku u vunë në pranga L. M., 30 vjeç dhe N. M., 31 vjeç të dy banues në Fier, u sekuestruan 5.1 kg kanabis, municion luftarak, 1 automjet, 4 aparate celularë dhe një sasi parash.

Ndaj dy të arrestuarve rëndojnë akuzat për veprat penale Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e municionit luftarak”.

Tashmë materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier.

“Policia ka finalizuar me sukses një tjetër operacion antidrogë, pas një hetimi dymujor.

Operacioni policor i koduar “Agimi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.

Sekuestrohen rreth 5.1 kg kanabis, municion luftarak, 1 automjet, 4 aparate celularë dhe një sasi parash.

Në pranga 2 shtetasit që ushtronin këtë veprimtari kriminale.

Në vijim të punës për parandalimin dhe ndëshkimin e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, nga  Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, pas një hetimi dymujor, u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Agimi”, gjatë të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

L. M., 30 vjeç, banues në Fier,

N.M., 31 vjeç, banues në Fier.

Si rezultat i operacionit, nga kontrolli i ushtruar në banesat e këtyre shtetasve, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 5.1 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, e paketuar, e gatshme për t’u hedhur në treg.

Gjithashtu, gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një krehër me 6 fishekë, 4 aparate celularë, 1 automjet dhe një sasi parash.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e municionit luftarak”, njofton policia./abcnews.al