A mund ta quajmë triumfin e tij më të madh?
Po flasim për etapat në Turin e Francës, se për titujt dhe Fanelën e Verdhë, ai e ka bërë katër herë.
Tadej Pogaçar pati mundësi më në fund të luftonte për çmimin më të shquar të klasikes numër 1 të çiklizmit në të gjithë rruzullin, për etapën me finishin në Alp di ’Hyez.
Kampioni në fuqi I Turit ia doli të fitonte atë që mund të quhet “Uimbëlldoni” i çiklizmit, apo Olimpi i këtij sporti, e që mund të krahasohet vetëm me etapën legjendare në Turmaje në Malet e Pirenejve.
Fanela e Verdhë jo vetëm që e kaloi I pari cakun, jo vetëm që hipotekoi përfundimisht titullin që do ta marrë të dielën në Shamps Elize të Parisit, por ia doli në mënyrë më të shkëlqyer të mundshme.
Koha e tij në ngjitjen prej 13.8 kilometrash me pjerrësi mesatare 8.1 për qind ishte 35’26”, rekordi absolut i Alp di Hyezit.
Rekordin e mëparshëm e mbante një legjendë si Marko Pantani që në 1997 e ngjiti malin mitik në 37’35”, pra Pogaçar e ka ulur kohën me mbi 2 minuta.
Çiklisti nga Sllovenia dha një përgjigje që ndoshta nuk e priste askush pikërisht në atë që dukej si dita e tij më e vështirë në këtë edicion.
Sëmundja I kishte hequr dy nga shokët kryesorë të skuadrës, dhe ai duhej të mbërrinte një grup që ishte shkëputur, mes të cilëve ekuadoriani Karapaz, fituesi I etapës së një dite më parë.
U desh të rikuperonte mbi 3 minuta, jo sepse I rrezikohej Fanela e Verdhë, por sepse e donte një fitore këtu.
Një sukses si Fausto Kopi në ngjitjen e parë absolute në 1952, që mori etapën dhe kryesimin.
I paarritshmi Edi Merks nuk ia doli dot në Hyez, jo sepse nuk mundej, por sepse kjo etapë nuk ishte në program në vitet kur ai dominoi çiklizmin.
Pogaçar arriti Karapazin kur kishin mbetur edhe 1.7 km deri në majë, si dhe u arratis 800 metra nga caku.
Kampioni mbuloi 128 km në 3h17’57”, 6 sekonda më shpejt se francezi Leni Martinez dhe 9 mbi ekuadorianin.
Epërsia e tij në renditjen e përgjithshme të Turit është 7’11” ndaj belgut Remko Evenepël, me Del Toron dhe francezin Seisas edhe më prapa.
“Alieni” 27-vjeçar jo vetëm që do ta fitojë klasiken për herë të pestë, duke barazuar rekordin e yjeve Merks, Ankëtil, Finjo dhe Indurain.
Pogaçar ia doli më në fund të fitonte atë që quhet “Hollivudi” I çiklizmit.



