“Po të dojë shteti e bën Floqin Paris”, të prekurit nga tërmeti akoma pa shtëpi

schedule14:14 - 28 Gusht, 2019

schedule 14:14 - 28 Gusht, 2019

Nisja e ndërtimit të shtëpive të para, që u shkatërruan nga tërmeti i Qershorit në Korçë solli shpresë tek banorët se vjeshta nuk do t’i gjente në qiell të hapur. Por procesi po zvarritet dhe kjo e ka bërë të largët ditën, kur çdo familje e prekur nga tërmeti të kthehet në banesat e rindërtuara. Le të ndjekim reportazhin e përgatitur nga gazetarja e Abc News në Korçë Daniela Zisi dhe operatori Roland Beqiraj.

Në shkollën e Floqit, prej tre muajsh vazhdojnë të jetojnë mbi 20 familje, shtëpitë e të cilëve janë të pabanueshme. Deri tani ka filluar ndërtimi vetëm në pesë prej banesave të rrënuara, çfarë ka detyruar banorët të përgatiten që dimrin ta kalojnë në ambientet e shkollës.

Edhe pse procesi mësimor do edhe pak ditë të fillojë,duket se nxënësit dhe familjet e dëmtuara nga tërmeti do të ndajnë të njëjtën ndërtesë,në pamundësi për të gjetur alternativa të tjera strehimi.

“Këtu do qëndroj. Ku të vete? Të shkoj në shtëpi të bjerë guri të mi pëlcasin trutë fëmijëve”.

“S’kam ku të vete, me 6 fëmijë”.

“Të pengoj fëmijët e tjerë keq më vjen. Shteti të mendojë se brenda muajit e bën Floqi të ri, Paris”.

Të tjerët janë kthyer në fshat, duke përshtatur kasollet e bagëtive apo oborret ku kalojnë netët. Edhe për ato pak familje shtëpitë e të cilëve kanë filluar të ndërtohen, shqetësim mbetet përfundimi i tyre para ardhjes  së dimrit.

Përpos zvarritjes dhe vonesave, banorët e Floqit pretendojnë se procesi i vlerësimit të dëmeve ka qenë selektiv dhe jo transparent, duke trajtuar me përparësi ato familje që kanë një banesë të dytë dhe nuk janë në kushte emergjence.

Në lagjen që u godit nga tërmeti shumica e banorëve janë kthyer. Dita kalon duke pastruar gërmadhat. Në njërën prej shtëpive më të dëmtuara nga tërmeti, në fakt nuk ka mbaruar as vlerësimi i dëmit. Familja prej tre muajsh fle në haurin e lopës.

Më me fat ishte Artan Ramolli shtëpia e të cilit ka nisur të ndërtohet në Korrik dhe është drejt përfundimit. Brenda pak ditësh familja me tre anëtare do të futet në shtëpinë e re, të cilës po i jepet dora e fundit.

Pak metra më tej ndodhet banesa e Rajmonda Mullajt, e cila ka 90 ditë që pret vlerësimin e dëmeve të tërmetit. Shtëpisë i kanë lëvizur themelet dhe çarë muret, por komisioni nuk ka mbërritur ende.

“Nuk di ngjë, kam bërë 90 ditë që fle në shkollë, bashkë me burrin”, tha Rajmonda Mullaj.

Procesi i vlerësimit të shtëpive të rrënuara dhe dëmtuara nga tërmeti ka ndeshur edhe me problematikën e pronësisë së paligjëruar ose me mangësi në dokumentacion, duke u pasuar me rishikim disa herë të dosjeve dhe rikthim nga e para të vlerësimit./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!