“Po pi ujë me sheqer”: Historia e saj i tronditi të gjithë, qindra qytetarë i përgjigjen apelit të Abc News për të moshuarën nga Vlora

schedule12:19 - 31 Mars, 2020

schedule 12:19 - 31 Mars, 2020

“Kam dy ditë pa bukë. Po pi ujë me sheqer”. Kjo ishte thirrja therëse e nënë Myzejene Jaupit ditën e djeshme që tronditi këdo që e dëgjoi. 84 vjeçarja jetonte e vetme, ndërsa theu karantinën duke dalë në qytet për të kërkuar ushqim.

E moshuara foli për kamerën e Abc News se është 84-vjeçe dhe jeton fare e vetme në shtëpi. Gjendja e të moshuarës dukej aq e rëndë sa ajo shprehej se “do ikte e pa ngopur në gropë.”

Ndërkohë, i jashtëzakonshëm ka qenë solidariteti i qytetarëve për nënën e vetmuar, e cila fëmijët i ka në emigrim, ndërsa këto ditë është përballur edhe me mungesën e ushqimit.

Pas publikimit të historisë së saj në Abc News, një numër i madh mesazhesh kanë ardhur në numrin e redaksisë, të cilët ofroheshin për të ndihmuar nënën 84-vjeçare.

Gazetari Elton Nika ishte sërish sot në shtëpinë e nënë Myzejenit, ndërsa raporton se ndihmat për të janë të pafundme. Për Abc News, 84 vjeçarja nuk ka hezituar të bëjë edhe njëherë falënderimet për këdo që e ka ndihmuar.

“Jam shumë  e kënaqur, nga djemtë e Vlorës, nga bujaria e tyre. Të rrojnë dhe mos i gjejë asgjë e keqe’” tha e moshuara. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!