Përse nuk janë vaksinuar grupet e riskut? Përgjigjet Eugena Tomini

schedule09:27 - 6 Prill, 2021

schedule 09:27 - 6 Prill, 2021

Në emisionin “ABC-ja e mëngjesit” zëvendës ministrja e Shëndetësisë Eugena Tomini, foli edhe për aplikimin e vaksinës anti-Covid tek kategoritë e veçanta, ku përfshihen persona që vuajnë nga sëmundje kancerogjene, me kimioterapi apo edhe persona që marrin dializë…

E pyetur nga gazetari Enkel Demi, përse kjo kategori ende nuk ka marrë thirrje për të aplikuar vaksinën anti-Covid, Tomini tha se kjo vlerësohet nga ekspertët.

“Sipas ekspertëve të vaksinimit, duke vënë re edhe incidencën e Covid-19 po tek këto grupe që kanë sëmundje bashkëshoqëruese ata vlerësojnë nëse është apo jo ky grup primar për tu vaksinuar apo jo. Ndërkohë që ne nuk kemi kaluar te grupet të përcaktuara, por është parë e arsyeshme që pas personelit shëndetësor të linjës së parë ishte grupmosha me imunitet më të kompromentuar pra fasha 70+. Pra e varur edhe nga sasia dhe stoku i vaksinës do të procedohet tani e më tutje me grupet e riskut”, tha Tomini.

 

Më tej Enkel Demi tha se situata e kategorive të veçanta mbetet një shqetësim i madh duke theksuar se është e pavërtetë që gjatë fushatës së vaksinimit nuk janë përcaktuar kategori.

“Këta janë njerëz të sëmurë. Kanë frikë të dalin nga shtëpia. Janë njerëz relativisht të një moshe të re, një kategori që duhet të ishte përcaktuar që në fillim ashtu siç ka ndodhur në Itali. Përse në Shqipëri nuk është përcaktuar që në fillim. Nuk janë pak, mund të jenë edhe diabetikët mes tyre. Sot ju keni vaksina dje sheshi “Skënderbej” ishte bosh, përse nuk e bëni këtë kategori të veçantë”, tha gazetari.

Nga ana tjetër Tomini sqaroi se çdo sëmundje jo infektive përkundrejt Covid-19 ka nivel risku të përcaktuar, duke shtuar grupmosha e tretë dhe ajo e riskut kanë qenë grupet më madhore prioritare. Po ashtu shërbimet kritikë kanë qenë një grup prioritar.

“Nëse ne do të kemi një epidemi më të zgjeruar shërbimet që do të mbajnë qetësinë apo rregullin, shërbimet kritike duan një rol shumë herë më të madh aktiv dhe kontakte të zgjeruara sesa individët. Këto janë elementë që janë vlerësuar paraprakisht jo vetëm nga ne.

Sigurisht që grupet që ju përmendët janë grupe të vlerësuara në bazë të sëmundjeve të rrezikshme brenda grupit të tyre, por përkundrejt Covid-19 dhe kur ke më shumë kontakte je më me prioritet për tu vaksinuar në krahasim me popullatën që mbart sëmundje shoqëruese apo popullatën tjetër që është e shëndoshë”, tha Tomini, ndërsa shtoi se me kuadrin e një stoku më të mirë të vaksinave do të procedohet me grupet e riskut”, u shpreh Tomini.

Më tej ajo theksoi se virusi ka bërë ka bërë një ulje të incidencës së rasteve qofshin javore apo dyjavore.

“Mutacioni britanik u dyshua që në muajin janar dhe tani jemi në muajin prill dhe mutacionet e reja mund të jenë përshtatur.

Sigurisht qarkullimi përvijon por transmetueshmëria është më e ulët. Por nëse shërbimi shëndetësor nuk do të kishte kapacitete sigurisht që masat do të ishin më shtrënguese”, u shpreh Tomini.

/abcnews.al/