Përplasjet me Vuçiç për takimin në Bruksel, Cejku: Kurti të lërë adoleshencën diplomatike e të sillet si burrë shteti

schedule13:10 - 3 Qershor, 2021

schedule 13:10 - 3 Qershor, 2021

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksander Vuçiç pritet që të takohen së shpejti në Bruksel për të shënuar edhe rifillimin e dialogut mes dy vendeve.

Megjithatë, përplasjet në distancë kanë filluar që tani. Kurti ka deklaruar se nuk ka për të pasur Asosacion një-etnik në Kosovë, ndërsa presidenti serb nga ana tjetër ka paralajmëruar se nëse kryeministri kosovar ka këtë qëndrim atëherë lë të mos shkojë farë në takim

Diplomati Arben Cejku, në një bisedë me Juli Xhokaxhi në ABC u shpreh se Albin Kurti është duke shkuar në Bruksel si kreu i qeverisë dhe jo si lideri i LVV dhe për këtë arsye duhet të përgatitet si kurrë më parë.

Sipas tij, kryeministri kosovar po shkon në takimin me Vuçiç për interesat e tij personale ndërsa shtoi se kjo që po bën Kurti është një “adoleshencë diplomatike”.

“Kjo nuk është çështje që mund të mbahet brenda kornizës politike të ndjekur nga VV…Nuk e di deri ku do të shkojë me këto koncepte. Nuk do të shënojë ndonjë arritje. Nuk besoj se nuk e kupton ku qëndron Kosova. Kërkon ta shfrytëzojë këtë takim për interesat e veta. Kjo është një adoleshencë diplomatike, diplomacia reale e Kosovës është të marrë sfidën parasysh.”

Diplomati Cejku solli në vëmendje se tashmë me ardhjen në pushtet të administratës Biden, kemi një rikthim në të njëjtën tryezë të interesave SHBA-BE. Dhe, sipas tij, Kurti dhe Vuçiç nuk mund të ndjekin agjendat e tyre personale, duke anashkaluar interesat e këtyre dy faktorëve të rëndësishëm ndërkombëtarë.

“Rikthimi në të njëjtën tryeze BE SHBA ka domethënien e vet. Interesi i tyre është që na rajonin e Ballkanit të ketë një stabilitet dhe paqe. Kurti u bë kryeministër pas një retorike për zhvlerësimin e dialogut, Vuçiç ka përpara zgjedhje…Të dy nuk anashkalojnë dot interesin e SHBA për siguri dhe stabilitet në Ballkan.”

Arben Cejku theksoi se duhet që Albin Kurti të marrë në konsideratë rëndësinë e këtij hapi që do të merret në Bruksel. Diplomati po ashtu tregoi dy skenarët që mund të ndodhin duke marrë parasysh qëndrimet e dy liderëve.

I pari është që të vazhdohen apo ndryshohen në një version final marrëveshjet ekzistuese mes dy vendeve ndër vite, dhe opsioni i dytë është nisja e një kapitulli të ri. Këtë skenar Cejku e gjykon si më penalizues për Kosovën.

“Në tryezën e bisedimeve mund të vijnë të gjitha opsionet që qarkullojnë edhe versionet “non paper”. Serbia kërkon të fitojë kohë. Çdo shmangie nga ballafaqimi realist me Kosovën është i dëmshëm.”

Kërkesa e tij për Kurtin, përpara se të niset në Bruksel është: “Të sillet si burrë shteti që ka marrë përgjegjësi për të udhëhequr Kosovën.” sb/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!