Përplasja me armë mes të rinjve, vritet kalimtari

schedule14:28 - 4 Korrik, 2019

schedule 14:28 - 4 Korrik, 2019

Policia ka kapur njërin nga autorët e dyshuar të ngjarjes në Kavajë dhe ka shpallur në kërkim vëllain e tij. Nga përplasja me armë zjarri midis disa të rinjve, një kalimtar vdiq në vend kurse pesë persona të tjerë u plagosën.

Pesë të plagosur dhe një kalimtar vdiq në vend, njoftoi policia. Ngjarja ndodhi mesditën e kësaj të enjteje pranë stacionit të trenit në hyrje të Kavajës.

Përplasja midis disa të rinjve që sipas të dhënave policore ishin në konflikt të mëparshëm për pazare të pista, u kthye në betejë. Fillimisht ata ishin ulur në një lokal për t’u sqaruar rreth një debati të një nate me pare. Por e gjitha shkoi keq dhe nxorrën armët.

Banorët u tronditën dhe shumë nga ata u shtrinë në rruge. Dikush vrapoi të futej në shtëpi. Breshëria e plumbave vërshoi nga të gjitha anët. Viktima e rastësishme ishte Ramazan Hasalliu 50 vjeç.

Për zbardhjen e asaj çfarë ndodhi u ngrit një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e prokurorit të rrethit. Nga veprimet paraprake dyshohet se autorët e ngjarjes janë dy vëllezër, Marius Aliu dhe Denis Aliu.

Marius Aliu, autori i dyshuar, mbahet në ruajtje nga shërbimet e policisë në spitalin e Durrësit, pasi është i plagosur. Policia është vënë në ndjekje të autorit tjetër, Denis Aliu dhe vijon krehja e zonës për kapjen e tij.

Policia ka bllokuar dy automjete që u përkasin pjesëtarëve të palëve që janë konfliktuar. Kurse në komisariatin e policisë Kavajë janë shoqëruar disa persona dhe vijon puna për shoqërimin e personave të tjerë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!