Përmbytjet në Shkodër/Banorët lëvizin me varka

schedule15:34 - 8 Mars, 2018

schedule 15:34 - 8 Mars, 2018

Në zonën e Nënshkodrës banorët po lëvizin vetëm me varka ose me lundra. Niveli i ujit është rritur për shkak të reshjeve dhe të prurjeve nga lumenjtë, ndërkohë që Ministria e Mbrojtjes ka nisur të shpërndajë ushqime për popullatën.

Vogëlushi ka disa ditë që nuk largohet nga shtëpia. Rreth shtëpisë së tij këtu në Obot të Shkodrës, uji ka mbërritur 50 cm. Por diku në rrugë edhe një metër. Të tjerë të vegjël e të rritur janë bllokuar në Zonën e Nënshkodrës, situata e së cilës nuk është përmirësuar. Reshjet rriten më tepër nivelin e ujit dhe sipërfaqet e përmbytura. Prurjet e lumit Drin gjithashtu janë shtuar.

Në Anën e Malit janë përmbytur 1000 ha tokë, ne Obot 310 ha tokë, në Oblikë 290 ha dhe ne Muriqan 400 ha tokë. Forcat e Ushtrisë kanë vënë në dispozicion varka dhe mjete të larta për transportin e banorëve.

Ujësjellësi Oblika është përmbytur dhe është jashtë funksionit. Per pasoje, rreth 800 banorë nuk kanë furnizim me ujë të pijshëm. Rrezikon të përmbytet dhe Ujësjellësi “Oblika 2”. Kurse në fshatin Obot disa segmente rrugorë janë bllokuar dhe emergjente është ushqimi i bagëtive .

Ministria e Mbrojtjes nisi shpërndarjen e pakove me ushqime. Por po merren masa edhe për zhbllokimin e segmenteve në Gur të Zi dhe në Gropat e Selcës në Malësine e Madhe. Të dhënat e Ministrisë së Mbrojtjes tregojnë se përmbytje ka në Bushat 300 ha tokë dhe është dëmtuar Ura e Gjolulit. Në Dajçin e Bregut të Bunës janë përmbytur 430 ha tokë. Aksi rrugor rural që lidh fshatin Darragjat me fshatin Shirq është i bllokuar dhe në fshatin Trush janë bllokuar kanalet anësore.

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!