Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu deklaroi se procesi i integrimit europian të Shqipërisë vijon pa pengesa, duke theksuar se qeveria ka përmbushur me seriozitet detyrimet ndaj Bashkimit Europian.
Në përfundim të mbledhjes së qeverisë, Koçiu u shpreh se institucionet shqiptare dhe shumica parlamentare kanë ndjekur një qasje konstruktive në raport me procesin e integrimit.
“Qeveria shqiptare, institucionet dhe PS në Kuvend kanë dialoguar në një qasje konstruktive dhe gjithë vendimmarrjet nuk e kanë cënuar progresin e integrimit. Të gjitha këto janë aludime të opozitës, të cilat nuk ia dolën të ndikojnë në këtë proces. Në fund të ditës ne bëjmë detyrat me përkushtim dhe shumë seriozitet dhe për këtë BE na njeh progresin”, deklaroi Koçiu.
Ajo theksoi se vlerësimet pozitive nga Bashkimi Europian janë dëshmi e progresit që Shqipëria ka bërë në rrugën drejt anëtarësimit.
“Presim me përfundimin e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare, jemi duke pritur rekomandimet për kushtet përmbyllëse dhe aspirata është që brenda këtij viti të kemi filluar diskutimet për 10 kapituj. Duhet të ulemi në tryezë me palën europiane për të diskutuar një nga një gjithë detyrat dhe rekomandimet”, shtoi ajo.
Gjithashtu u shpreh se opozita vijon me akuza dhe të hedhë baltë, ndërsa nënvizoi se nuk do të arrijnë të ja dalin të zbehin punën e madhe që është bërë në drejtim të rrugës europiane të Shqipërisë.


