Përkeqësohet situata nga zjarret në Greqi, shpërthejnë depot e municioneve të Forcave Ajrore

schedule19:47 - 27 Korrik, 2023

schedule 19:47 - 27 Korrik, 2023

Situata nga zjarret është përkeqësuar në Volos të Greqisë, pasi flakët kanë bërë që të shpërthejnë depot e municioneve të Forcave Ajrore që ndodhen në Nea Aghialos.

Shpërthimet kanë ndodhur në magazinat në krahun e 111-të luftarak të Forcave Ajrore, ku ruhen municionet për gatishmërinë e avionëve luftarakë që ngrihen kur ka shkelje në detin Egje.

Në zonë raportohet se gjenden edhe tanke mbi tokë dhe nëntokë si dhe depozita karburanti, ndërsa vala goditëse e shpërthimit ka qenë aq e fortë sa është dëgjuar deri në Volos dhe Skopelos.

“Dëgjohen shpërthime mes Nea Anchialos dhe Mikrothibe. Ka një depo municionesh në Karamba dhe disa pika karburanti. Situata po vështirësohet. Po evakuojmë njerëzit me autobus për në Volos. Nëse erërat nuk pushojnë, do të kemi një problem të madh”, tha për mediat presidentja e kampit ushtarak të Nea Anchialos, Paraskevi Pyrgani Paraskevopoulos.

Flakët janë shkaktuar nga erërat shumë të forta dhe ka qenë e pamundur të shuheshin, megjithëse kampi ruhej nga zjarrfikëse.

Forca Ajrore u urdhërua të evakuonte objektet me afrimin e flakëve. Personeli që shërbente në objektin e veçantë të municioneve u evakuua me kohë sipas zyrtarëve të Shefit të Shtabit Ajror.

Pamje tronditëse të tre shpërthimeve të njëpasnjëshme janë kapur në kamera gjatë transmetimit direkt të mediave greke, ndërsa flakët nga fronti i zjarrtë i janë afruar zonës së banuar.

Forca të shumta policie ndodhen në vendngjarje duke u dhënë udhëzime banorëve se si të largohen, ndërsa në zonë mbizotëron një gjendje alarmi, me kambanat në kisha që po bien vazhdimisht me qëllim që të finalizohet evakuimi.

Siç raportojnë mediat lokale, njerëzit u larguan edhe me varka nga deti, ndërsa policia po shkon derë më derë duke u bërë thirrje të braktisin shtëpitë e tyre pasi zjarri afrohet me shpejtësi.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!