Përgjime dhe pëshpëritje, 4 “bombat” e Berishës në Fier

schedule19:10 - 21 Shtator, 2021

schedule 19:10 - 21 Shtator, 2021

Krahas akuzave të përhershme ndaj Ramës dhe Lulzim Bashës për tradhti ndaj tij dhe demokratëve duke qenë peng i kryeministrit, Berisha ka radhitur edhe katër akuza të forta gjatë takimit të sotëm në Fier, të cilat nuk ishin përfolur më parë publikisht në vend.

Lexoe dhe: Luan Baçi pozicionohet në krah të Berishës, çfarë po ndodh në Fier pak minuta para “Foltores”

Akuza e parë ka të bëjë me kreun e ILD, Artur Metani, i cili sipas Berishës ishte zyrtari i lartë i Sistemit të Drejtësisë që u kap në përgjimet e prokurorisë në dhjetor 2019 duke folur me Henri Çilin me qëllim nxjerrjen nga burgu të vëllezërve Aliko kundrejt 750 mijë eurove.

Në atë kohë, personazhi në fjalë nuk u identifikua me emër, por u tha se ishte një zyrtar i lartë i Sistemit të Drejtësisë. Për herë të parë, Berisha nxjerr në publik emrin e personit në fjalë duke thënë se nuk u publikua me qëllim për të mos cënuar Sistemin e Drejtësisë që ishte nën kontrollin e maxhorancës.

Akuza e dytë e Berishës lidhet me Ardian Dvoranin, kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED). Sipas Berishës, kompania “Albtelecom” i ka shlyer atij një kredi prej 17 mijë eurosh për shtëpinë.

Pas këtij veprimi sipas Berishës, Dvorani dha një numër të madh vendimesh gjyqësore pro “Albtelecom” duke cënuar interesat e qytetarëve. Ky, tha Berisha, “është kampioni i shpallur i anti-korrupsionit”.

Lexo edhe: Berisha i përgjigjet Yuri Kim: Mandatin nuk e lë. Bashës i kërkova të japë dorëheqjen në 2017

Akuza e tretë lidhet me ish-ambasadorin amerikan në Tiranë, Donald Lu, i cili sipas tij ishte planifikuar që të nxirrej në pension nga Departamenti i Shtetit. Mirëpo sipas Berishës, Donald Lu u dërgua ambasador në Kirgizistan kundrejt një rryshfeti 10 milion dollar.

Akuza  e katërt e Berishës lidhet me George Sorosin, i cili sipas tij po financon largimin e tij nga politika për shkak të planlulzeve për ndarjen e Kosovës. Sipas ish-kryeministrit, ndarja e Kosovës ishte planifikuar nga zyra e fondacionit të George Sorosit në Beograd, por ndërhyrja publike e tij bëri që ky plan të mos zbatohej. Ky është shkaku sipas Berishës se përse Sorosi po kërkon largimin e tij nga politika.

Të katërta këto akuza janë tepër të forta dhe që deri më tani Berisha nuk i ka thënë asnjëherë në publik. /abcnews.al