“Përgjigja e gabuar i mori jetën”, si e vrau shqiptari të riun grek, mediat: Po vijnë arrestime të tjera

schedule08:01 - 4 Shkurt, 2022

schedule 08:01 - 4 Shkurt, 2022

Detaje të reja kanë dalë nga vrasja e të riut grek nga një 23-vjeçar shqiptar pas një përplasje mes tifozëve. Dëshmitarët kanë hedhur dritë në fakte të reja dhe tashmë hetuesit janë të bindur se Alkis ra viktimë e këtij sulmi sepse ndodhej në kohën e gabuar dhe në vendin e gabuar.

Grupi i shqiptarit që akuzohet për vrasjen e tij kishte dalë i armatosur duke kërkuar tifozët kundërshtarë për t’i goditur në rrugën Papanastasiou, ku 10-15 tifozë kanë strehën e tyre në një fast food.

Teksa po kalonin në rrugët pranë stadiumit shqiptari dhe grupi i tij panë pranë stadiumit Alkisin dhe miqtë e tij të ulut në shkallët e një pallati në një rrugë të ngushtë. Ata u ndalën dhe i pyetën se për kë ekip bënin tifo por morën përgjigjen e “gabuar”.

Ata zbritën nga automjeti duke sulmuar të rinjtë nga ku mbeti i vrarë 19-vjeçari fatkeq. Tashmë autoritetet policore janë shumë pranë arrestimit të personave të tjerë që sulmuan të riun dhe miqtë e tij.

Pamjet filmike dhe dëshmitë nga banorët e zonës që panë situatën dramatike nga ballkonet e shtëpive të tyre kanë çuar policinë në të dhëna të rëndësishme për mënyrën si ka nisur debati mes tyre. Shqiptari dhe grupi i tij janë dëgjuar disa herë duke thënë “vrite atë vrite”. Për pak minuta miqtë e Alkisit morën në krah shokun e tij me lot në sy duke i kërkuar të hapë sytë. Por tashmë ai kishte ndërruar jetë.

23-vjeçari ka mohuar akuzat ndaj tij. Avokati i familjes ë viktimës flet për një aksion të mirëmenduar shumë mirë ku kanë marrë pjesë të paktën edhe 6 autorë të tjerë. Sipas tij të gjithë janë përgjegjës për këtë vrasje ndërsa do të akuzohet për dy vrasje të tjera të mbetura në tentativë, duke rrezikuar deri në 15 vite burg.

Në laboratorët e mjekësisë ligjore në polici janë dërguar gjurmët e gjakut të viktimës dhe gjurmët e gishtërinjve të të akuzuarve për vrasjen mizore. Në telefonin autorit po kontrollohen mesazhet për të kuptuar me kë ka folur para dhe pas vrasjes.

Pas sulmit autorët janë larguar me dy makinat e tyre ndërsa gjatë arratisjes personat që ndodheshin në vendin e ngjarjes nxituan të ndalonin njërin nga automjetet duke e goditur atë me sende të forta.
Në vendin e ngjarjes ka mbërritur menjëherë njëri nga baballarët e të plagosurve i cili po ashtu kishte marrë goditje me thikë por mundi të mbijetojë pasi dy nga goditjet ishin sipërfaqësore. Ai menjëherë i lutet të atit të shpëtojë mikun e tij. “Më lini të qetë babi, shko te Alkisi, unë nuk e shpëtova dot”, i ka thënë ai të atit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!