“Ukraina është Europa dhe Europa është Ukraina. Ne nuk jemi të frikësuar nga Kremlini dhe nuk do të frikësohemi.
E ardhmja e Ukrainës është në Bashkimin Europian. Fati juaj është fati ynë dhe kjo është arsyeja pse ne jemi këtu për të qenë pranë jush”.
Kështu ka deklaruar presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel, në një konferencë për shtyp në Kiev me presidentin Volodymyr Zelensky.
Michel tha BE-ja do ta mbështesë Ukrainën në çdo mënyrë për sa kohë të jetë e nevojshme dhe shtoi se ata nuk do të frikësohen nga Kremlini. Michel tha se 18 miliardë euro (16 miliardë £) ndihmë financiare për Ukrainën tashmë ishin planifikuar për vitin 2023.
Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen tha se paketa e 10-të e sanksioneve do të synonte teknologjinë që rusët kanë përdorur në raketa dhe drone. Ajo shtoi se ishte “thellësisht e impresionuar” me reformat që presidenti Zelensky kishte kryer “në një hapësirë të shkurtër kohe”, si dhe konfirmoi dërgimin e 35 milionë LED-ve.
Presidenti Zelensky shprehu “mirënjohjen” e tij për masat dhe tha se integrimi i vendit të tij në BE ishte “i pakthyeshëm”. Ai tha se kishte diskutuar mbi asetet e ngrira ruse që po përdoreshin për të krijuar kuadrin e pershtatshëm ligjor që agresorët rusë një ditë të përballen me drejtësinë.
Udhëheqësi i Ukrainës tha se prioriteti i tyre ishte “të ndalonin prodhimin e ardhshëm të raketave ruse”, pasi shumica e atyre të përdorura ishin prodhuar para luftës.
Rikujtojmë se udhëheqësit e Bashkimit Europian u takuan me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Kiev.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mbërriti në Kiev me tren të enjten, një udhëtim simbolik për të demonstruar mbështetjen për Ukrainën ndërsa afrohet përvjetori i parë i agresionit rus që filloi më 24 shkurt 2022.
/abcnews.al