Një orë zgjati protesta e paralajmëruar e banorëve të Unazës së Re këtë të diel. Tubimi nisi në orën 18:00, ndërsa i pranishëm ishte edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Me mbërritjen e tij u bllokua edhe një aks i rrugës “Teodor Keko”, duke bllokuar hyrjen e makinave në Tiranë.
Ndërkohë tensionet mes policisë dhe protestuesve u shënuan kur këta të fundit donin të kalonin edhe në krahun tjetër të rrugës. Me anë të qendrës së zërit, policia bënte thirrje për shpërndarje të protestuesve, ndërsa sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi kërkoi që të largohej kordoni policor pasi ishin në shkelje të ligjit.
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mbajti fjalën e tij ku deklaroi se Rama urdhëron burgosjen e baballarëve që mbrojnë shtëpitë, ndërkohë që qeveritarët që janë kapur në shkelje të ligjit janë të lirë.
Pak pas përfundimit të fjalimit të liderit të opozitës u shënua edhe përfundimi i kësaj proteste. Menjëherë filloi edhe qarkullimi i automjeteve në të dyja akset e rrugës.
Banorë të Unazës së Re kërkojnë lirimin e tre prej protestuesve, që Gjykata Penale i la në burg me akuzën për bllokim të rrugës, një formë proteste që këta banorë e përdorin prej gati një viti. Ata kërkojnë kompensim në vlerë reale të banesave të tyre që preken nga projekti i Unazës së Re, e që opozita e konsideron korruptiv.
/abcnews.al