Një automjet tip range rover u përfshi nga flakët mëngjesin e së enjtes në Pogradec.
Ngjarja ndodhi në lagjen nr 1, në afërsi të një qendre tregtare ku mjeti është djegur thuajse plotësisht.
Burimet konfirmojnë se makina është në pronësi të Erjon Maxharit, i njohur për policinë e Pogradecit.
Ky i fundit ka precedentë të mëparshëm penal për vepra të ndryshme.
Nga ana e grupit hetimor po bëhet këqyrja e vendit të ngjarjes si edhe janë marrë kamerat e sigurisë të zonës për të zbardhur ngjarjen pasi ka dyshime që zjarrvënia mund të jetë e qëllimshme.
Megjithatë, shkaku i zjarrit nuk konfirmohet ende zyrtarisht.
Maxhari ka qenë polic në doganën e Qafë-Thanës. Në vitin 2018, ai u arrestua së bashku me tre policë të tjerë, pasi akuzoheshin si ishin pjesë e një grupi për trafikun e klandestinëve nga Shqipëria në SHBA, Kanada dhe Angli.
Ata shpërdoruan detyrën duke mos kryer regjistrimin e shtetasve të kontrabanduar. Nga 51 persona që u përfshinë në këtë grup, 39 prej tyre u arrestuan në Shqipëri, mes tyre edhe 4 policët.
Ndërkaq, Maxhari u arrestua edhe në shkurt të këtij viti, pasi me vëllanë e tij, Darti Maxhari kërcënuan dhe dhunuan një polic në Pogradec, i cili ishte jashtë shërbimit.


