Përfituan 38 mijë euro nga mashtrimet në Facebook, arrestohet anëtari i dhjetë i grupit

schedule11:34 - 5 Gusht, 2020

schedule 11:34 - 5 Gusht, 2020

Ditën e sotme është arrestuar një person i përfshirë në skemën e mashtimit përmes Facebook-ut, duke e çuar në 10 numrin e personave të arrestuar nga ky operacion.

Në pranga është vënë Shkëlzen Bytyçi i cili dyshohet se bashkë me persona të tjerë ndërhynin në llogari të ndryshme,  dhe me anë të mashtrimit kishin marrë 38 mijë euro.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

“Vijon operacioni “Transferta”. Shkon në 10 numri i të arrestuarve.

Kapet dhe vihet në pranga 1 shtetas i shpallur në kërkim në vijim të këtij operacioni.

Në vijim të operacionit policor të koduar “Transferta”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimeve kompjuterike, finalizuar një muaj më parë nga DVP Tiranë, si rezultat i të cilit u vunë në pranga 9 shtetas, ka vijuar puna me hetime të thelluara, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Në vijim të hetimeve është shpallur në kërkim edhe shtetasi Sh. B., pasi ka rezultuar se ishte i implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Në vijim të operacionit, nga shërbimet e Policisë u bë kapja e shtetasit Sh. B. dhe ekzekutimi i urdhrit të ndalimit të lëshuar nga Gjykata, e cila ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”, për shtetasin e shpallur në kërkim Sh. B., 29 vjeç.

Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasit e tjerë të arrestuar, për një periudhë 1-vjeçare, ka ndërhyrë në llogari të ndryshme të rrjetit social Facebook, duke ndryshuar të dhënat e tyre dhe më pas i kanë përdorur për të komunikuar me miq të këtyre llogarive. Me anë të mashtrimit kanë kërkuar shuma të ndryshme monetare dhe si rezultat kanë përfituar shumën 38000 euro.

Vijon puna për dokumentimin dhe mbledhjen e provave të tjera, si dhe për evidentimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia./abcnews.al