TIRANË– Analisti Martin Leka, i ftuar në emisionin “Ora e Fundit”, komentoi raportin e miratuar nga Parlamenti Europian për Shqipërinë, duke e cilësuar atë si një sinjal pozitiv për procesin e integrimit europian të vendit.
Sipas Lekës, miratimi i raportit me një shumicë dërrmuese tregon se Shqipëria po ecën në drejtimin e duhur dhe ka mundësi reale për të mbyllur negociatat e anëtarësimit brenda vitit 2027, ndërsa anëtarësimi i plotë në Bashkimin Europian mund të realizohet deri në vitin 2030.
“Miratimi i raportit nga Parlamenti Europian me shumicë dërrmuese tregon se Shqipëria është në rrugën e duhur dhe ka shanse që negociatat të mbyllen brenda vitit 2027 dhe Shqipëria të pranohet në BE brenda vitit 2030. Kjo është një gjë e mirë për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen”, u shpreh ai.
Duke komentuar protestat që po zhvillohen prej disa ditësh në Tiranë, Leka tha se protestat janë të rëndësishme për demokracinë, por sipas tij, lëvizja aktuale vuan nga mungesa e një kauze të qartë.
“Protestat i bëjnë mirë shoqërisë shqiptare dhe zhvillimeve demokratike të vendit. Por kjo protestë nuk ka kokë dhe nuk ka një kauzë të qartë. Numrat nuk janë më ata të fillimit dhe dalëngadalë po kthehet në një shëtitje. Situata po shoqërohet me një fjalor të vrazhdë, deri diku kriminal”, shtoi ai/abcnews.al



