PD: MSH kërkon të dhënat personale për të manipuluar zgjedhjet

schedule16:40 - 5 Maj, 2018

schedule 16:40 - 5 Maj, 2018

Partia Demokratike ë kërkon Prokurorisë të nisë hetimet për marrjen e të dhënave personale të qytetarëve nga institucionet shtetërore. Deputeti i selisë blu Bardh Spahia deklaroi se edhe Ministria e Shëndetësisë u kërkon pacientëve nëpër spitale të dhënat e tyre. Pas deklaratave nga Partia Demokratike ka reaguar Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.  Ajo e quan spekulim denoncimin e deputetit Bardh Spahia.

Pas Ministrisë së Arsimit Partia Demokratike denoncon se të dhënat personale qytetarëve po iua kërkon edhe Ministria e Shëndetësisë.

Sipas deputetit Bardh Spahia përmes një maili ajo ka urdhëruar mjekët të mbledhin të dhënat e pacientëve në qendrat shëndetësore.

Një lëvizje e tillë thote Spahia vjen për manipulimin e zgjedhjeve të ardhshme.

“Skandali këtë herë është i provuar së shkon deri në zyrën e Edi Ramës, pasi në emailin e shpërndarë nga Ministria e Shëndetësisë thuhet se “plotësimi i bazës së të dhënave me informacionet private të pacientëve bëhet sipas kërkesës së ardhur nga Zyra e Kryeministrit”.

Njësoj si në rastin e Ministrisë se Arsimit, edhe këtu kërkohet që operacioni të kryhet me urgjencë dhe Ministria e Shëndetësisë t’i disponojë të dhënat brenda këtij muaji.

Pika 4 e urdhrit të Edi Ramës është me skandalozja e te gjithave! Njeriu që bërtet se po bën shtet, ka kërkuar marrjen e informacioneve private nga rregjistrat e pacientëve që janë vizituar në spitale nga Janari deri në Prill, pa dijeninë e tyre, pa pëlqimin e tyre, kundër interesit të pacientëve!”

Opozita thotë se me këtë urdhër qeveria po shkel Kushtetuten dhe kërkon ndërhyrjen e Komisionerit për mbrojtjen e të dhënave personale dhe të Prokurorisë.

“PD i kërkon Komisionerit për Mbrojtjen e të dhënave personale që të ndërhyjë menjëherë për të nxjerrë para drejtesisë shkelësit e ligjit.

 PD i kërkon Prokurorisë të mos bëhet palë me heshtjen e saj, por të nisë sa më parë hetimin e skandalit të marrjes së pakigjshme të të dhënave personale të pacientëve dhe prindërve të nxënësve, skandal që buron nga zyra e Edi Ramës me qëllimin e vetëm: manipulimin e zgjedhjeve dhe mbajtjen e pushtetit të inkriminuar e të korruptuar me çdo formë të paligjshme dhe antikushtetuese!

 PD u bën thirrje mjekëve dhe stafeve të qendrave shëndetësore të mos i përgjigjen urdhrit të paligjshëm të Kryeministrit dhe Ministres së Shëndetëisë!”

Pas deklaratave te Partisë Demokratike ka reaguar Ministria e Shendetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.  Ajo e quan spekulim denoncimin e deputetit Bardh Spahia, ndërkohë që thotë se të dhënat e qytetarëve do të përdoren për plotësimin e databazës ekzistuese të të dhënave shëndetësore për pacientët.  Karta e identiteti deklaron Minstria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me reformën e deregulimit që ka ndërmarrë qeveria ka zëvendësuar kartën e shëndetit. Sipas saj përmes numrit identifikohet qytetari për kategorinë shëndetësore që i përket dhe shërbimet që përfiton në të gjithë sistemin tonë shëndetësor. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!