Policia do të ketë rol më të madh gjatë ditëve kur shqiptarët do t’i drejtohen kutive të votimit.
Kjo kërkesë e Partisë Demokratike është diskutuar sot më në detaje në tryezën e Reformës Zgjedhore, ku ndryshe nga takimet e mëparshme ishin të pranishëm dhe dy ekspertë të ODIR-it.
“Është roli i Policisë së Shtetit në një kuadër masash, të garantojë fushën e barabartë të lojës”, theksoi ish deputeti i PD, Oerd Bylykbashi.
Deri më tani asnjë çështje që lidhet me akuzat për krime zgjedhore nuk është hetuar nga organet e drejtësisë. Këtë PD pretendon që ta bëjë struktura e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Kemi bërë propozime në lidhje me rolin që duhet të ketë Prokuroria, qoftë Prokuroria e Posaçme qoftë ajo e zakonshme”, u shpreh Oerd Bylykbashi.
Pjesë e kësaj tyreze nuk do të jenë diskutimet për krijimin e një qeverie tranzitore para zgjedhjeve, siç kërkon PD.
“Ato gjëra që nuk janë arritur me “luftë” në rrugë nuk mund ti marrësh në tavolinën e negociatave. Nuk ka sens të diskutohet kjo gjë në këtë tavolinë. Është një çështje e natyrës politike për të cilën Partia Demokratike ka qasjen e saj, por mazhoranca e ka bërë të qartë. Qeveria është kushtetuese, qeveritë teknike nuk janë të dobishme për popullin”, deklaroi Damian Gjiknuri.
Përfaqësuesja e opozitës parlamentare në tyrezë, Rudina Hajdari tha se nuk do të hiqet dorë nga ndryshimi i sistemit. Për propozimet e PD ajo pati këtë koment: “Kishte edhe propozime të tjera që erdhën nga PD-ja, por vijnë të një natyre politike. Propozimet do ishte mirë t’i kishim marrë më herët, që takimet të jenë sa më produktive”, tha më tej Rudina Hajdari.
Në tryezën e ardhshme diskutimet do të fokusohen tek financimi i fushatave zgjedhore. Palët janë dakordësuar që të kenë një dokument të dakordësuar deri më 15 mars.

