PD bën publike videon: Si i mbushën komisionerët kutitë e votimit

schedule12:57 - 5 Korrik, 2019

schedule 12:57 - 5 Korrik, 2019

Ish-deputeti Oerd Bylykbashi në një konferencë për shtyp nga selia blu bëri publike një video që sipas tij tregon manipulimin që është bërë me zgjedhjet.

“Sot iu paraqesim provën filmike të kësaj skeme kriminale të manipulimit të rezultatit zgjedhor. Mekanizmi është shumë i pastër, është mbushja e kutive të votimit me vota nga komisionerët. Është një qendër votimi në Kavajë. Kjo është qendra e votimi ku nuk ka asnjë garanci se është e hapur. Mund ta shihni ka dhe bedge-n e anëtarit të komisionit. Plotësojnë fletët e votimit komisionerët dhe mbushin kutitë. Të gjithë këta komisionerë do të mbajnë përgjegjësi penale për veprën penale të falsifikimit të zgjedhjeve nëpërmjet mbushjes së kutive. Identifikojnë zgjedhësin pasi marrin të dhënat telefonikisht. Marrin të dhënat e kartës së identitetit të zgjedhësve që nuk vijnë dot të votojnë përfshi dhe emigrantë dhe këtë e bëjnë në mënyrë individuale që të kontrollojnë fluksin, por ndërkohë asnjë zgjedhës nuk paraqitet. Komisioneri plotëson fletën e votimit, e mbush aty ku duhet”, tha Bylykbashi.

Sipas Bylykbashit, gjithçka është bërë me urdhër të kryeministrit dhe më pas është zbatuar nga KQZ. Ai deklaroi se të gjithë personat që kanë kryer krime zgjedhore do të mbajnë përgjegjësi penale.

“Kjo maskaradë e urdhëruar nga Edi Rama e ekzekutuar në mënyrë piramidale nga KQZ, nga katër militantët e PS në KQZ të cilët duhet të mbajnë përgjegjësi penale për këto krime zgjedhore që ata kanë kryer dhe ekzekutuar duke filluar nga KQZ dhe urdhrin që i ka dhënë KZAZ-ve dhe KQV-ve. Është një mekanizëm i tërë piramidal vetëm e vetëm për të ekzekutuar porosinë e Edi Ramës që pjesëmarrja në votim të ishte sa më e lartë e mundshme.

Numri i votave në kuti nuk do t’i korrespondonte pjesëmarrjes në votim dhe kjo është shumë e qartë. Vetëm 15% ka votuar dhe kjo është monitoruar një më një në 12 orë rresht nga monitoruesit e PD-së edhe pse opozitës iu mohua aksesi në qendrat e votimit.

Kjo skemë kriminale është shtrirë në të gjithë Shqipërinë. Provat janë mbledhur, po dokumentohen ditë për ditë e më tepër dhe kallëzimet penale do të bëhen për të gjithë këta persona që janë përgjegjës”, tha Bylykbashi./acbnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!