Opozita akuzon Kuvendin se po shkel kushtetutën me shortin për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, i planifikuar për tu hedhur nesër. Kreu i grupit demokrat, Edmond Spaho, dorëzoi një letër në Kuvend, ku argumenton këtë paligjshmëri, sipas selisë blu.
Ndërprerje të menjëhershme të procedurës së shortit për KED deri në plotësimin e boshllëkut me krijimin e KLP dhe KLGJ dhe kërkimi i një opinion nga Këshilli i Legjislacionit të Kuvendit për zgjidhjen e këtij boshllëku.
Kjo është kërkesa, nga sot zyrtare e grupit të deputetëve demokrat.
Reagimi erdhi pas parashikimit nga Kuvendi të hedhjes së shortit për anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, organ i ri i krijuar pas ndryshimeve kushtetuese të korrikut 2016. Pas refuzimit nga presidenti i Republikës Ilir Meta, për hedhjen e shortit në kushte ekstra-ligjore, pasi institucionet nga duhet të burojnë kandidaturat, KLP e KLGJ, nuk janë ngritur ende, timonin e morën socialistët duke vendosur hedhjen e shortit më datë 7 në kryesinë e Kuvendit.
Këtu fillon edhe shkelja ligjore për demokratët, të cilët depozituan një letër përmes kreut të grupit parlamentar Edmond Spaho, ku pretendohet antikushtetutshmëri në veprimin e kreut të kuvendit Ruçi për nisjen e kësaj procedure përzgjedhëse.
Sipas kësaj letre, lista e kandidatëve mes të cilëve do të hidhet shorti për Këshilin e Emërimeve në Drejtësi, është kërkuar nga kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi në një kohë kur kushti i parashikaur në Kushtetutë nuk ishte plotësuar ende, kjo pasi kreu i Kuvendit i kërkoi organeve ekszistuese të përpilonin lista të kandidatëve, pa kaluar hapsira kushtetuese që ja ngarkon presidentit këtë detyrë, data 5 dhjetor.
Njoftimi për hedhjen e shortit është bërë publik nga kryesia e Kuvendit më 22 nëntor duke mos zbatuar limitin kohor të paracaktuar për Presidentin e Republikës.
Konkluzioni i dytë i parashtruar nga demokratët në argument të antikushtetutshmërisë së këtij procesi është fakti se institucionet të cilat duhet të depozitojnë listat e kandidatëve nuk janë krijuar ende. Në mungesë të insitucionit KLP dhe atij KLGJ sot qeveria po bazohet në një dispozitë tranzitore e cila e ka humbur fuqinë e saj, sipas demokratëve të cilët kujtojnë se KED e përkohshme është zgjedhur më janar të 2017-s kur edhe u krijua institucioni për herë të parë.
Demokratët theksojnë gjithashtu se veprimtaria e KED është bllokuar qëllimisht në mënyrë që ky institucion të mos kryente procesin e parashikuar në kushtetutë të vlerësimit të kandidatëve për institucionet si Inspektori i Lartë i Drejtësisë apo Gjykatën Kushtetuese, sot të mbetur me tre vende vakante.
Në mbështetje të argumentave të demokratëve ishte edhe letra e kreut të grupit parlamentar LSI sa i përket shortit për KED./abcnews.al
https://youtu.be/BZ7Q_MhUXoM