PD akuza Veliajt: Po grumbullon kartat e identitetit për të vjedhur votat

schedule14:28 - 2 Mars, 2019

schedule 14:28 - 2 Mars, 2019

Ndërkohë, Partia Demokratike ka bërë denoncimin e radhës. Albana Vokshi, anëtare e kryesisë së kësaj partie, akuzon kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, se po grumbullon kartat e identitetit të qytetarëve për të vjedhur votat në zgjedhjet lokale.

“Vjedhja e votave dhe manipulimi i zgjedhjeve është prioriteti numër një i Edi Ramës dhe pupacit të tij në Tiranë, Erion Veliaj. Erion Veliaj është kapur në flagrancë duke grumbulluar karta identiteti për të vjedhur votat. Me urdhër të Erion Veliajt, ky formular u është shpërndarë  prindërve që kanë fëmijët në çerdhet dhe kopshtet e Tiranës, për t’u marrë gjoja leje për publikimin e fotove të tyre.

Një nga kërkesat e formularit, është dorëzimi i të dhënave personale, përfshirë numrin e kartës së identitetit. Urdhri i Erion Veliajt është i paligjshëm. Ligji e ndalon Bashkinë e Tiranës apo çdo institucion tjetër, të marrë të dhënat personale të qytetarëve të saj. Numri i kartës së identitetit është një prej këtyre të dhënave dhe përbën një informacion kyç për zgjedhjet, për sa kohë, karta e identitetit është mjeti kryesor i votimit. Abuzimi flagrant me detyrën i Erion Veliajt, në shkelje të hapur të Kushtetutës dhe legjislacionit në fuqi duhet të jetë këmbanë alarmi për institucionet e drejtësisë. Prokuroria dhe Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale duhet të urdhërojnë nisjen e hetimeve për të ndaluar skemat e vjedhjes së votave”, tha Vokshi./abcnews.al