Partia Demokratike akuzon Ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj për abuzim me tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit. Për demokratët, tenderi me vlerë 30 milionë euro është i preferuari i ministrave të Brendshëm, ku Lleshaj njësoj si Tahiri e Xhafaj e përcaktojnë fituesin në garë.
“Titullarët në drejtimin e Ministrisë së Brendshme ndryshojnë, por dëshira e tyre për të abuzuar me tenderin e uniformave të Policisë mbetet e njëjtë”.
Kështu e përkufizoi drejtuesja e Departamentit Antikorrupsion në PD, Lealba Pelinku vendimin e ministrit Sandër Lleshaj për përgjysmimin e afatit të parashikuar në ligj për kompanitë që dëshirojnë të bëhen pjesë e tenderit.
Ligji i Prokurimit Publik parashikon një afat minimal 52 ditor për kompanitë që marrin pjesë në garë, por kjo sipas demokratëve nuk e pengoi ministrin Lleshaj që në shkelje të ligjit të shkurtojë afatet për ata që duan të konkurrojnë në 24 ditë.
Demokratët kanë hedhur dyshime të forta për abuzim me tenderin e uniformave të Policisë që ka nga koha kur ky institucion drejtohej nga Saimir Tahiri. /ABC News Albania 24/7