Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka deklaruar pas protestave të opozitës ndryshimin e sistemit në vend. Por për Astrit Patozin, ai ka pasur disa raste për ta bërë këtë gjatë viteve që ka qenë në krye të opozitës.
Por fakti që nuk e ka bërë ka vetëm një përgjigje sipas ish-deputetit. Në emisionin “Byro Politike”, ai deklaroi se Basha, së bashku me krerët e partive kryesore në vend janë përfituesit kryesorë të sistemit politik aktual.
“Të dalësh sot dhe ta thuash në një takim pa shumë pretendime do thoja me disa studentë dhe të thuash unë jam gati të ndryshojmë sistemin politik. Pyetja është: Ku ishte ti Adam? Sepse Lulzim Basha është sot kreu i PD-së prej 6 vitesh. Pra ka gjashtë vjet që drejton forcën kryesore të opozitës dhe ka pasur të paktën tre raste për ta dëshmuar që nuk ishte për këtë lloj sistemi dhe e ka identifikuar që ky është thembra e Akilit. Pse s’e ka bërë?
Përgjigja është e thjeshtë. Basha është një nga përfituesit e këtij sistemi bashkë me Edi Ramën. Partitizmi, i cili u konsolidua në Shqipëri me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 është një sistem që bën sulltan krerët e partive politike. Dhe në morinë e partive që ka në Shqipëri tre janë partitë që janë në skalionin e parë. Nëse do flasim për përfituesit kryesorë, ata janë Lulzim Basha, Edi Rama dhe Monika Kryemadhi ose Ilir Meta pak rëndësi ka. Nuk mund të pritet që prej tyre të lindë ndryshimi ose ideja e ndryshimit të kësaj status quoje. Unë kam frikë se Basha e bën për një taktikë politike. Një gjë që nuk e do, por thotë pse mos të them një fjalë të mirë”, tha Patozi./abcnews.al