Pas Fierit, Olsian Çela takime me prokurorët në Vlorë: Krimi zgjedhor, prioritet

schedule14:51 - 17 Maj, 2021

schedule 14:51 - 17 Maj, 2021

Pas takimeve me drejtuesit në Prokurorinë e Fierit, kryeprokurori Olsian Çela është ndalur në Vlorë ku edhe ka zhvilluar takime me prokurorët.

Në një komunikim për mediat Çela tha se fokus i takimeve të ditës janë krimi zgjedhor dhe pastrimi i produkteve të veprës penale. Ai gjithashtu theksoi se Prokurorive i është kërkuar hetim i shpejtë dhe i plotë i këtyre veprave.

“Sot isha edhe në Fier ku pata një takim me drejtuesit e Prokurorisë të Rrethin gjyqësor atje, i njëjti objekt takim ka qenë edhe në Vlorë me tema që janë krimi zgjedhor dhe efektiviteti i luftës ndaj pastrimit të produkteve të veprës penale. Sa i përket krimit zgjedhor që mund të them është prioritet i ditës,  iu është kërkuar Prokurorive në rang vendi që hetimi i shpejtë dhe i plotë i tyre të jetë prioritet. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka një ngarkesë më të ulët sa i përket këtyre veprave, por për nga rëndësia kanë të njëjtat vlera.

Ndaj u është kërkuar që në kohë optimale këto hetime t’i përfundojnë sa më shpejt. Dhe prioritet mbetet sigurimi i transparencës. Sa i përket pastrimit të parave mbetet shqetësim real dhe konstant dhe ka qenë në qendër të vëmendjes të Prokurorisë së Përgjithshme.Dita e sotme shërbeu për të nxjerrë në pah disa nga problemet që do të ndiqen në vijim”, tha ai, ndërsa shtoi: “Duhet të jemi të qartë me ndarjen e përgjegjësive. Fenomenet e krimit të organizuar janë në qendër të vëmendjes si në Prokurorinë e Elbasanit po ashtu edhe në atë të Vlorës, dhe iu është kërkuar të gjitha prokurorive që të koordinojnë Punën me Prokurorinë e Posaçme. Patjetër që është e vështirë të hetohet plotësisht pastrimi i parave, por me rëndësi është që Prokuroritë të kenë fokusin e hetimit të këtyre rasteve. Besoj që aktualitet i ditës është krimi zgjedhor dhe pastrimi i produkteve të veprës penale”, tha Çela.

Po ashtu Prokurori i Përgjithshëm tha se raportin mbi kriminalitetin ia ka dërguar parlamentit, ndërsa theksoi se për shkak të situatës së Covid nuk mund të kishte takim me të gjithë Prokurorët e Vlorës, por analiza e të gjithë treguesve për secilën nga prokuroritë e rretheve do të mbetet prioritet.

/abcnews.al/