Parlamentarët premtojnë ndryshimin e statusit të jetimëve

schedule16:10 - 20 Maj, 2018

schedule 16:10 - 20 Maj, 2018

Parlamenti hap dyert në ditën kombëtare të jetimëve. Karriget e deputetëve i zunë fëmijët jetimë të cilët kërkuan ndryshimin e statusit të jetimit, i cili është i njëjtë prej 22 vitesh.  Mazhoranca dhe opozita premtuan se do të përmbushin kërkesat e tyre.

E diela nuk është një ditë e zakonshme parlamenti, por karriget e deputetëve i kanë zënë për pak çaste fëmijët jetimë, të cilët kërkojnë të drejtat e tyre në vendin ku miratohen ligjet.

Kryetari i shoqatës së jetimëve Lulzim Resuli nga foltorja e Parlamentit kërkoi ndryshimin e statusit të jetimëve, i cili për 22 vite nuk ka pësuar asnjë ndryshim.

“Kategoria e jetimëve ka 27 vite që ende vuan për të pasur kërkesa imediate të jetesës. Gjithçka fillon që 22 vite më parë, kur parlamenti ratifikoi ligjin e statusit të jetimit e për gjatë këtyre viteve ligji nuk ka pësuar ndryshime dhe është një domosdoshmëri e madhe që jo vetëm të pësojë ndryshime, por të jetë edhe më efiçent në ndihmë të kategiorisë sonë”.

Kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla kujtoi se ky është një muaj i shenjtë, ndaj kujdesi për këtë shtrese duhet të jetë më i madh edhe në shpërblim financiar, pasi nevojat e tyre janë reale.

“Jemi në muajin e Ramazanit dhe detyra jonë në këtë muaj të rëndësishëm është të bëjmë sa më shumë mirë. Të identifikojmë kërkesat që ju keni dhe punën e përbashkët për rishikimin e ligjit që rregullon statusin ta konkretizojmë, si edhe një konsulencë me ministrinë e financave” .

Ndërkohë që nënkryetarja e komisionit të Çështjeve Sociale Erisa Spiroplai nuk fshehu emocionet, përballë këtyre  qytetarëve, zhveshi petkun e pushtetit për të folur njerëzisht me të ftuarit specialë, ndërsa premtoi ndryshimin e ligjit për statusin e jetimit.

“Ne do i marrim përsipër që jo vetëm ta ndryshojmë atë ligj, por edhe ta përmirësojmë atë ligj, që askujt të mos i duket vetja i diskriminuar për të realizuar potencialin e tij”.

Edhe opozita është në krah të këtyre fëmijëve për të përmbushur kauzën e tyre.

“Nuk duhet të jemi vetëm një ditë të ndërgjegjësuar për një kauzë të tillë. Nuk janë pak. Ka shumë familje pa ushqim, pa mbështetje”.

Në këtë seancë të jashtëzakonshme parlamenti, ishte e pranishme edhe Avokatja e Popullit Erinda Ballanca, e cila shprehu përkrahjen e saj për fëmijët jetimë. /abcnews.al