Këtë të martë, më 11 gusht, në orët e para të mëngjesit dhe në mesditë parashikohet që në vijën bregdetare dhe në qytetet e zonës së ulët të ketë intervale të gjata me diell. Ndërsa në zonat malore, herë pas here pritet të ketë kalime të lehta të vranësirave.
Parashikohet që vranësirat të bëhen më të dukshme në pjesën e dytë të ditës, ku më të fokusuara do të jenë në skajin juglindor, duke gjeneruar momente të pakta me pika shiu gjatë pasdites. Mbrëmja dhe nata vonë rikthejnë dominimin e kthjellimeve në pothuajse të gjithë territorin e vendit.
Temperaturat e ajrit do të rriten në mëngjes dhe në mesditë, duke luhatur vlerat ditore nga 16°C, temperatura më e ulët e shënuar në Pukë, deri në 41°C, vlera më e lartë e cila do të shënohet në qarkun e Beratit.
Era do të fryjë mesatare deri e fortë, duke arritur shpejtësinë 50 km/h, nga drejtimi kryesisht verior-veriperëndimor. Kjo do të bëjë që në brigjet detare të krijohet dallgëzim mbi 3 ballë.


