Ditën e martë presidenti Donald Trump njoftoi planin e tij për të dërguar trupa ushtarake për të mbikëqyrur kufirin me Meksikën, me qëllim bllokimin e fluksit të emigracionit nga vendet e Amerikës Latine dhe asaj Qendrore. Një ditë më vonë, këshilltarët e tij deklaruan se kreu i shtetit ka në plan të mobilizojë Gardën Kombëtare, sikurse kanë bërë parardhësit e tij. Por dërgimi i trupave në kufi me një vend tjetër, për shumë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Departamentit të Mbrojtjes mund të dërgojë një mesazh armiqësor dhe të rrisë shanset për nxitjen e një konflikti. Për ekspertët, administrata amerikane nuk ka përse krijon armiq të rinj, në një kohë kur po përballet me armiqësitë e Koresë së Veriut, Sirisë dhe Rusisë. “Ne jemi me fat që jetojmë në këtë vend nëse u hedh një sy kufijve. Ne kemi Paqësorin në njërën anë dhe Atlantikun në tjetrën, si dhe aleatë në veri dhe në jug. Meksika nuk është një armik. Përse duhet të ngrihen barriera ndaj një vendi mik?”, ka deklaruar gjenerali në pension Paul Eaton. Edhe për Dov Zakheim, oficeri përgjegjës për financat e Pentagonit gjatë mandatit të parë presidencial të George Ë. Bush, dërgimi i trupave për mbikëqyrjen e kufirit do të ishte e gabuar pasi mund të çojë në përshkallëzim. “Po nëse Meksika përgjigjet duke vendosur trupat e saj në anën tjetër të kufirit? Mjafton vetëm një gabim, vetëm një e shtënë dhe pastaj…”, ka thënë Zakheim. /abcnews.al
Paralajmërimi i veteranit për dërgimin e trupave në Meksikë
schedule22:32 - 5 Prill, 2018
schedule 22:32 - 5 Prill, 2018