Paralajmerimet e SHBA për sanksione frenojnë rimëkëmbjen e lirës turke

schedule14:25 - 17 Gusht, 2018

schedule 14:25 - 17 Gusht, 2018

Lira turke ka filluar përsëri rënien e lirë kundrejt dollarit amerikan, pasi administrata e presidentit Trump njoftoi se do të vendosë sanksione shtesë. Këto masa ekonomike janë ndërmarrë nga SHBA për shkak të një pastori që mbahet në burg nga Turqia dhe akuzohet për terrorizëm.

Lira e Turqisë u dobësua më shumë se 6 përqind kundrejt dollarit të premten, pas një paralajmërimi të SHBA-së se Ankaraja duhet të presë më shumë sanksione ekonomike nëse nuk dorëzon pastorin e burgosur amerikan Andrew Brunson. Ajo ka humbur gati 40 për qind të vlerës së saj ndaj dollarit këtë vit, e goditur nga përplasja diplomatike dhe alarmi i investitorëve rreth ndikimit të presidentit Tayyip Erdogan mbi politikën monetare. Erdogan, një armik i vetë-përshkruar i normave të interesit, dëshiron të ulë kostot e huamarrjes pavarësisht inflacionit të lartë.

Kriza e monedhës ka thelluar shqetësimet në lidhje me ekonominë më të gjerë, veçanërisht varësinë e Turqisë nga importet e energjisë dhe nëse nivelet e borxhit në valutë të huaj paraqesin rrezik për sektorin bankar. Ministria e Thesarit dhe Financave e Turqisë njoftoi se do të futen një sërë masash lehtësuese të cilat kanë të bëjnë me kreditë në bankat në sektorin real. Ndër të tjera, theksohet se në kredi, ku për shkak të rritjes së kursit ka ardhur deri te tejkalimi i limitit, tejkalimi nuk do të merret parasysh dhe nuk do të lëshohet kërkesë për mbylljen e kredisë.

Aktualisht 10 dollarë amerikanë këmbehen me 1.6 lira turke. Mbikëqyrësi bankar turk ka ndërmarrë hapa për të stabilizuar monedhën, duke kufizuar transaksionet e ardhshme për investitorët në ofshore dhe duke ulur kufijtë në transaksionet e këmbimit. Por disa ekonomistë kanë bërë thirrje për lëvizje më vendimtare. Administrata e Uashingtonit ka njoftuar se pritet vetëm vendimi i presidentit Donald Trump pasi sanksionet e reja janë gati. Vetë kreu i Shtëpisë së Bardhë ka shkruar në tuitër se SHBA nuk do të paguajë para për lirimin e pastorit Brunson, i cili akuzohet për terrorizëm. Nga ana tjetër zyrtarët e qeverisë turke thonë se ky rast i takon gjykatave ta zgjidhin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!