Këtë fund janari bota dëshmon një fenomen të veçantë, paradën e planeteve. 4 planete të sistemit tone diellor janë të dukshëm në qiellin e natës duke filluar nga data 18 janar.
Astrofizikania, profesoreshë Mimoza Hafizi shpjegon për Abc News pozicionimin e planeteve të dukshëm pas perëndimit të diellit, në qiellin e Shqipërisë.
“Saturni me Afërditën që janë shumë afër. Dhe është pastaj Jupiteri dhe Marsi I kuqi. Është e mundshme që me një të hedhur sytë në qiellin e Tiranës apo kudo qoftë në planetin tonë, ne mund të shohim te katërt planetet e renditura sipas një vije imagjinare qiellore që quhet ekliptika. Nuk duket shumë mirë yjet në Tiranë, kurse planetet duken shumë mirë”.
Profesoreshë Hafizi shpjegon se kjo është një dukuri e zakonshme por shumë e këndshme për tu dëshmuar, pasi trupat qiellor mund të vezhgohen me sy të lire kudo që ndodhemi.
Planetet do të jenë të linjëzuar njëri pas tjetrit për një kohë të gjatë, të paktën deri në mesin e muajit shkurt.
“Çdo planet për tu zhvendosur nga pozicioni do ditët ose javë të tëra. Kurse ky konfiguracion besoj do të ruhet, do të ruhet për javë të tëra.”
Venusi është shfaqur pranë Hënës që në mbremjen e dates 3 janar, planeti I kuq marsi më 13 janar dhe mbrëmjen e 18 janarit këtyre dy planeteve iu bashkohet edhe Saturni me Jupiterin, duke krijuar një “valle” qiellore.
/abcnews.al