Pritet reagim nga kombëtarja shqiptare pas humbjes me Kosovën. Futbollistët veteranë bëjnë kritika për të rinjtë, por kanë besim për sukses ndaj Ukrainës.
Shumë javë më parë, kur ishte më i qetë, i lejoi vetes këtë batutë.
Kristian Panuçi: “Nuk kanë b…ë për ta vendosur vetë. Nuk mund ta vendosë babai, halla, gjyshja apo shoku i lagjes”.
Ishte një paralajmërim i qartë për mëtuesit e rinj të kombëtares nga “bosi” i tyre, Kristian Panuçi, diçka që mund të jetë kthyer në kërcënim pas katastrofës me Kosovën.
Paraqitja e disa prej lojtarëve të rinj ishte e tillë që nuk mori thuajse asnjë vlerësim, me përjashtim të pak minutave të Kristal Abazajt, ndaj edhe Panuçi pritet të bëjë ndryshime në miqësoren e radhës, atë ndaj Ukrainës.
Në seancën e fundit përgatitore, italiani pati një lajm të mirë pasi Ermir Lenjani u kthye në stërvitje, pra mund të zgjidhë problemin e krahut të majtë të mbrojtjes, ku ndaj Kosovës u aktivizua jashtë rolit, Bujar Lika.
Për lojtarët e rinj të kombëtares, pati kritika edhe nga veteranët e skuadrës, siç është Mërgim Mavraj.
Mërgim Mavraj: “Ka qenë sakrificë shumë e madhe për t’u ftuar, jo më për të qenë pjesë e skuadrës. Kjo gjeneratë e re nuk di shumë ta vlerësojë”.
Sidoqoftë, Mavraj dhe sulmuesi Balaj kanë besim se ndaj Ukrainës do të jetë ndryshe.
Mërgim Mavraj: “Ne lojtarët jemi më shumë të mërzitur, por i dimë mundësitë tona”.
Bekim Balaj: “Mendoj që po të krijohen raste, lojtarët me ciolësinë që kanë janë të aftë të shënojnë dhe të krijojnë rrezikshmëri para portës”.
Kombëtarja luan të dielën në mbrëmje në Francë, ndaj Ukrainës, pak ditë pas humbjes 0-3 me Kosovën në Zyrih./abcnews.al