“Pandemia” ekonomike në SHBA, fondi i ri i Trump për biznesin e vogël

schedule12:09 - 8 Prill, 2020

schedule 12:09 - 8 Prill, 2020

Administrata Trump i paraqiti Kongresit kërkesën për një tjetër fond prej 250 miliardë dollarësh në formë asistence urgjente, për biznesin e vogël amerikan, që po vuan pasojat e pandemisë së koronavirusit.

Sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin, njoftoi se e ka konsultuar propozimin me drejtuesit e Kongresit.

Ky fond do t’i shtohet 349 miliardë dollarëve në formën e kredive të buta, të miratuara më 27 mars, si pjesë e masave stimuluese ekonomike me vlerë totale prej 2.3 trilionë dollarësh.

Vetëm pak përpara njoftimit të Sekretarit Mnuchin, udhëheqësi republikan në Senat, McConnell, deklaroi se “është bërë e qartë se Kongresi duhet të miratojë fonde të mëtejshme për këtë program jetësor”.

Në Shtetet e Bashkuara, numri i të vdekurve nga koronavirusi ka arritur në rreth 12 800, ndërsa numri i të infektuarve është rreth 400 mijë.

Qyteti i New York është më i godituri me mbi 4 mijë të vdekur. Gjatë konferencës se fundit për shtyp të Task Forcës së Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin, Presidenti Trump pranoi, se ishte informuar rishtazi për paralajmërimet në fillim të vitit të njërit prej këshilltarëve të tij të lartë, Peter Navarro, për efektet e mundshme të pandemisë.

Trump mohoi ta ketë lexuar memorandumin e zotit Navarro në momentin kur ai e kishte paraqitur gjatë muajit janar./abcnews.al