Paloka tregon rastin e manipulimit: Pse do dërgojmë komisionerë në KZAZ

schedule20:04 - 16 Maj, 2019

schedule 20:04 - 16 Maj, 2019

I ashpër ishte këtë të enjte nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, ndaj partisë më të re në vend “Bindja  Demokratike”. Gjatë një interviste në rubrikën “Mbrëmje ABC” me Mirela Milorin, ai deklaroi se “Bindja” ka falsifikuar firmat kur është është regjistruar. Ndërkohë tregoi edhe një rast, ku sipas tij, tregohet manipulimi që do i bëhet zgjedhjeve.

Sipas Palokës, kandidati i “Bindjes Demokratike” në Kavajë është regjistruar pa qenë në Shqipëri, madje pa dëshirën e tij. Kjo është arsyeja pse PD do të dërgojë komisionerë në KZAZ, sipas Palokës.

Edi Paloka: Nuk ka zgjedhje në disa plane. E para sepse nuk ka opozitë.

Mirela Milori: E kanë opozitën ata. Është “Bindja Demokratike”.

Edi Paloka: Për këtë arsye sepse ky arrin deri aty saqë edhe kur është vetëm në zgjedhje kërkon t’i manipulojë. Deri këtu arrin ky kryeministër. Ju s’e keni marrë vesh, por ka dalë një lajm që po mendojmë të dërgojmë dhe komisionerët tanë në KZAZ sepse kemi marrë informacione se KZAZ-të e sajuara aktualisht me anëtarët e rilindas, plus ca rilindas pa tesër që kanë gjetur dhe kanë futur si të pavarur kanë filluar që tani manipulimet. Është i vetëm në zgjedhje, ka komisionin dhe e përdor për të manipuluar. Dhe meqë përmend atë partinë, gjoja opozitare normalisht duhet t’ju vijë për të qeshur, por e ruani për etikë buzëqeshjen se tashi një parti që kandidon në Kukës Abedin Ruçin që përveç kusureve që ka me dekriminalizimin është kryetar i qarkut të PS kandidon përballë kandidati të PS nga kjo partia opozitare. Listat i patë me çfarë ishin mbushur, përveç falsifikimeve që kanë dalë? Nusja e Agron Xhafës. Është nga ato që nuk e kanë mohuar. Kanë falsifikuar firmat e socialistëve të bindur se nuk do kundërshtojnë. U regjistrua në KQZ në kundërshtim me ligjin. Çfarë tregojnë këto? Që është vetëm një sajesë e Ramës për të krijuar këtë fasadën e shpifur për zgjedhje normale. Dhe e fundit fare pse do i dërgojmë anëtarët e PD në KZAZ sepse kemi marrë vesh që po bëhen manipulime. Kemi marrë vesh që do bëhen manipulime. Meqë nuk do marrim pjesë do e lejmë që të marrë. E gënjente mendja nëse mendonte do ta linim të bënte çfarë të ndodhte. Do jemi aty për të kontrolluar çdo gjë edhe me manipulime që na i konfirmojnë se kanë ndodhur. Marr një rast për shembull në Kavajë me këtë partinë që the ti. Kandidati i kësaj partie nuk është fare në Shqipëri. Afati i regjistrimit ka kaluar pa qenë fare në Shqipëri se duhet të regjistrojë dokumente personale ky kandidati. Ai nuk është fare në Shqipëri. Rezulton se është regjistruar. Ku është regjistruar?  Si është regjistruar ky kandidati? Madje sipas informacionit që kemi ne ai nuk do të kandidojë. Kjo është më e bukura”.

Ndërkohë, më herët gjatë kësaj të enjteje, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha se PD dhe LSI kanë informacion zyrtar se në KZAZ po kryhen manipulime të procesit zgjedhor, prandaj kanë porositur degët që të propozojnë anëtarë në këto komisione. Në një reagim pas interesimit të medias lidhur me porosinë drejtuar degëve për propozimin e anëtarëve që i takojnë PD në KZAZ, Bardhi tha se partitë opozitare kanë informacion zyrtar se në KZAZ janë duke u kryer manipulime të rënda të procesit zgjedhor, që nis me regjistrim të paligjshëm të kandidatëve për kryetar bashkie./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!