Palestra e “Qemal Stafës” hap dyert për të rinjtë e njësisë 10

schedule14:02 - 12 Qershor, 2018

schedule 14:02 - 12 Qershor, 2018

Palestra e shkollës “Qemal Stafa” në Tiranë hap dyert për fëmijët dhe të rinjtë e njësisë administrative numër 10. Kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, iu bashkua nxënësve të shkollës dhe nxiti prindërit të dërgojnë fëmijët në kurset sportive.

Pasditeve, pas orarit të mësimit, të rinjtë dhe fëmijët e njësise administrative numër 10 në Tiranë mund të stërviten dhe luajnë në palestrën e rikonstruktuar të gjimnazit “Qemal Stafa”. Kjo është shkolla e katërt që i bashkohet nismës për t’i mbajtur dyert hapur për banorët e zonës.

“Kjo ka qenë një ndër shkollat e para që kemi rikonstruktuar dhe më vinte keq që gjithë kjo godinë e bukur duhej të mbyllej në orën 14.00. Këto dy vjet kemi menduar se si të gjenim një mënyrë që shkolla të hapej, jo si një shtëpi pa zot, por sipas një sistemi, për mirëmbajtje dhe kujdes. Ndaj, më vjen mirë që kemi gjetur këtë formulë fantastike midis bashkisë, drejtorisë dhe shoqatave sportive, për t’i shfrytëzuar këto mjedise jashtë orarit të mësimit”.

Veliaj theksoi se hapja e palestrave synon të nxisë fëmijët dhe të rinjtë të merren me sport.

“Jo të gjithë do të bëhen kampionë, por ky nuk është thelbi i këtij projekti. Sigurisht, është mirë të zbulojmë talente, por ama nuk është qëllimi i projektit. Qëllimi është që edhe ata që nuk do të bëhen basketbollistë elitarë, të kenë mundësi të luajnë në skuadër, të mësojnë çfarë është humbja, çfarë është fitorja. Arsyeja pse e them këtë është se loja më e rëndësishme nuk është kjo këtu, në këtë fushë, loja më e rëndësishme është tek ajo fusha aty jashtë, në fushën e jetës, mënyra sesi e trajtojmë njëri-tjetrin në këtë qytet, se si ndajmë hapësirën me njëri-tjetrin, si ndihmojmë ata që janë në nevojë, si respektojmë skuadrën”.

Kryebashkiaku veçoi si një mundësi të artë për të rinjtë e kësaj njësie faktin se në këtë palestër do të shërbejnë si trajnerë disa nga kampionët sportivë të vendit.

Prej disa javësh, Bashkia e Tiranës ka nisur projektin për të hapur të gjitha palestrat dhe mjediset sportive të shkollave të kryeqytetit për të rinjtë që duan të merren me sport./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!